E Diel, 1 Nëntor 2026

Konfindustria: Aktet nënligjore për faljen fiskale, sa më shpejt

25/04/2011  Gjergj Buxhuku: Të shfrytëzohet koha e kthimit në atdhe të emigrantëve

Ligji për faljen e borxheve që u miratua vetëm me votat e mazhorancës në Kuvend të enjten duhet të plotësohet sa më shpejt me aktet nënligjore. Edhe pse opozita nuk mori pjesë në votimin për amnistinë fiskale, Konfindustria e ka vlerësuar procesin e faljes si një masë tejet të rëndësishme. Në këtë kuadër qeveria duhet të shfrytëzojë kohën e kthimit në atdhe të emigrantëve të cilët janë një prej përfituesve të drejtpërdrejtë nga kjo falje. Madje gjatë kësaj kohe, sipas administratorit të Përgjithshëm të Konfindustrisë, Gjergj Buxhuku, duhet të bëhen edhe fushatat e nevojshme informuese për qytetarët dhe bizneset. “Konfindustria vlerëson veçanërisht dhënien për herë të parë në periudhën kohore të 20 viteve të mundësisë ligjore qytetarëve shqiptarë me banim brenda dhe jashtë vendit të përfitojnë dhe të ndihmojnë ekonominë kombëtare për të pastruar ligjërisht burimet financiare në zotërim. Norma e penaliteteve për qytetarët prej 3% të vlerës së përgjithshme financiare të amnistuar është e pranueshme, parë edhe përvojat e vendeve të tjera”, - nënvizoi Buxhuku. Sipas tij, vonesat në kohë kanë lënë qindra e qindra milionë euro burime financiare, kryesisht të qytetarëve shqiptarë jashtë vendit, pa hyrë në Shqipëri. Buxhuku theksoi se procedurat ligjore të zbatimit duhet të jenë të thjeshta, të shpejta dhe të sigurta për qytetarët shqiptarë, që do të përfshihen me vetëdashje në procesin e faljes fiskale.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›