“Jemi në momente historike”
“Shqipëria ndodhet në momente të saj historike në proceset integruese. Pas anëtarësimit në NATO, ne morëm nga 27 qeveri të BE-së mbështetjen për statusin e vendit kandidat. Po ashtu para pak javësh, Parlamenti Evropian miratoi rezolutën, ku pasi vlerësohen arritjet në zgjedhjet fundit, propozohet që Shqipëria të hyjë në listën shengen menjëherë sapo të plotësojë detyrimet e mbetura, duke i hapur rrugë liberalizimit në korrik 2010”. Kështu deklaroi kryeparlamentarja Joezefina Topalli në takimin me sekretarin e shtetit francez për Çështjet Evropiane, Lellouche. Duke i cilësuar këto vendime ndërkombëtare si një përgjigje e progresit të pandalshëm të Shqipërisë, Kryetarja e Kuvendit theksoi angazhimin maksimal të parlamentit dhe institucioneve shqiptare për të përshpejtuar reformat. Lellouche shprehu kënaqësinë për nivelin e bashkëpunimit mes dy vendeve dhe dy parlamenteve dhe uroi Topallin për rizgjedhjen e saj, duke vlerësuar se politika jo vetëm shqiptare por edhe ajo evropiane, ka nevojë për gra në politikë. Kryetarja e Kuvendit e cilësoi si shumë inkurajuese dinamizimin e politikës së BE-së, që synon integrimin e plotë të vendeve të Ballkanit Perëndimor deri në vitin 2014.