Berisha: Të hapur për të bashkëpunuar me PS
Kryeministri Sali Berisha, pas takimit me sekretarin e Shtetit francez për Çështjet Evropiane, Pierre Lellouche, u shpreh se është i hapur për të bashkëpunuar me opozitën. Bojkoti i opozitës socialiste ka qenë një nga temat që është diskutuar në takimin mes Berishës dhe Lellouche. Kryeministri ka theksuar se ka bërë oferta konkrete për të negociuar dhe të hapur për të bashkëpunuar me PS-në për hir të interesave të vendit. “Dua të garantoj zotin Lellouche dhe qeverinë franceze se mbetem gjithnjë i hapur për një bashkëpunim me opozitën në të gjitha reformat e mëdha. I kam kërkuar opozitës që të hartojë të gjitha amendamentet e sugjeruara nga OSBE/ODIHR për zgjedhjet e ardhshme. Dhe, çdo problem, dokument apo fakt që ka përzgjedhjet e shkuara le t’i paraqesë para institucionit të akuzës dhe organeve të drejtësisë. Ajo çka unë nuk imagjinoj, nuk e imagjinon as edhe një qytetar i lirë në Evropë apo në botë, është që politikanët të marrin edhe vendimet gjyqësore”, deklaroi kryeministri pas takimit. Berisha e ka konsideruar Lellouche, si mik i shquar i Shqipërisë dhe kombit shqiptar. “Me sekretarin e shtetit kemi diskutuar gjerësisht mbi marrëdhëniet e shkëlqyera bilaterale që ekzistojnë ndërmjet Shqipërisë dhe Francës dhe përpjekjet e Shqipërisë për integrimin në Bashkimin Evropian. Ishte një rast i shkëlqyer për mua që t’i shprehja mirënjohjen më të thellë Presidentit Sarkozy për mbështetjen e fuqishme që i ka dhënë Shqipërisë në përpjekjen e saj për integrimin në Bashkimin Evropian”, theksoi kreu i maxhorancës. Një mirënjohje shumë të veçantë i shpreh për mbështetjen e tij të madhe gjatë periudhës që ka kryesuar Asamblenë e Aleancës së Atlantikut të Veriut. Rezoluta e Parisit ka qenë një mbështetje shumë e fuqishme në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO.