Franca: PS të pranojë zgjedhjet
ADI SHKEMBI
“Rama pranoi certifikimin e rezultatit të zgjedhjeve të 28 qershorit”.Kështu u shpreh dje në Tiranë, Pierre Lellouche, Sekretari i Shtetit francez për Çështjet Evropiane në një konferencë për mediat në përfundim të takimeve me krerët e shtetit shqiptar. Ai i bëri thirrje klasës politike që t’i japë fund debatit jashtë Parlamentit, duke shtuar se parimin bazë i demokracisë është pranimi i rezultatit të zgjedhjeve. “Shpresoj që ky debat jashtëparlamentar të ndalojë sa më shpejt që të jetë e mundur. Parimi bazë i demokracisë është pranimi i ndryshimit të pushtetit, kur humb zgjedhjet dhe në momentin që këto zgjedhje pranohen atëherë kalojmë në opozitë, dhe në momentin që fitojmë marrim pushtetin. I gjithë sistemi demokratik është i bazuar në parimin që më parë njohim rezultatin, nëse nuk e pranojmë rezultatin nuk kemi të bëjmë me demokraci”, u shpreh zyrtari i lartë i Ministrisë së Jashtme franceze. Një prej takimeve të Lellouche ishte ai me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, njëherësh edhe kryetar i Partisë Socialiste, Edi Rama. Lidhur me këtë takim diplomati francez tha se donte të dinte qëndrimin e Ramës për zgjedhjet e 28 qershorit. “Kam dashur të takohem me zotin Rama për të kuptuar pozicionin e tij dhe ai më tha që kishte pranuar certifikimin e zgjedhjeve. Në qoftë se pranohen zgjedhjet nuk e kuptoj përse nuk ulemi në parlament. Edhe në qoftë se kemi mosmarrëveshje, edhe nëse kemi mosmarrëveshje personale. E rëndësishme është që në demokraci të flasim me njëri-tjetrin, të ketë dialog, dhe parlamenti është vendi i këtij dialogu”, u shpreh ai. Por i pyetur se çfarë përgjigje mori nga kreu i socialistëve, pasi ai deklaroi se kishte pranuar rezultatin e zgjedhjeve të 28 qershorit, Sekretari i Shtetit francez për Çështjet Evropiane tha se “unë nuk e kuptova logjikën e tij, por unë nuk dua të përfshihem në punët e brendshme”. Ai theksoi më tej se Këshilli i BE-së i ka dhënë OK Komisionit Evropian për të përgatitur Opinionin për Shqipërinë dhe në këto kushte nuk mund të diskutohen më çështje si ajo e respektimit të të drejtave të njeriut. “Ju jeni kandidat për Bashkimin Evropian. Pjesa më e madhe e shqiptarëve duan të jenë në Evropë. Ne kemi pranuar ta transmetojmë kandidaturën e Shqipërisë në Komisionin Evropian, por nuk mund të pranojmë në BE veçse vende që e pranojnë demokracinë. Ne nuk diskutojmë mbi çështjet e të drejtave të njeriut, mbi arrestimin e kriminelëve të luftës, në serbi sot për shembull, bashkëpunimin me gjykatën ndërkombëtare”, bëri të ditur Pierre Lellouche. Sipas tij, Shqipëria duhet t’i kushtojë rëndësi edhe luftës kundër korrupsionit dhe mafies, në të kundërt nuk mund të bëhet vend i Bashkimit Evropian. “Kushti minimal është një sistem demokratik, i cili duhet të funksionojë. Një sistem i cili nuk duhet marrë peng nga llogaritë e politikës së brendshme. Ju jeni vend kandidat për në BE dhe ne jemi ata që do t’u pranojmë, përsa i përket të tjerave u takon juve. Por evropianët që do pranojnë një ditë Shqipërinë në BE do të jenë ata që do pranojnë një Shqipëri me shtet të së drejtës, me rregulla demokratike. Korrupsioni dhe mafia është e pamundur të hyjnë në BE. BE është një klub kombesh demokratike”, përfundoi zyrtari francez.