Dritan Dajti foto me uniformë policie me gradën nënkomisar
Trazhgim Sokolaj
Prokuroria e Krimeve të Rënda përfundoi dje hetimet për “masakrën e Durrësit” në ngarkim të Dritan Dajtit, kunatit të tij Erges Xhoxhi dhe ish-oficerit të policisë së Durrësit Maringlen Muçaj. Dritan Dajti akuzohet për “vrasje për shkak të cilësive të veçanta katër herë ndaj katër agjentëve të policisë”, “vrasje në rrethana të rrezikshme për jetën e shumë personave”, “falsifikim dokumentesh” dhe “mbajtje pa të drejtë të uniformës së policisë”. Kunati i tij Erges Xhoxhi, akuzohet për “përkrahje të autorit të krimit” dhe “falsifikim dokumentesh”, ndërsa ish-oficeri i policisë së Durrësit Maringlen Muça akuzohet për “shpërdorim detyre”. Pas katër muaj hetimesh, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka zbardhur mekanizmin e vrasjes së katër agjentëve të policisë Fatos Xhani, Kastriot Feskaj, Altin Dizdari dhe Sajmir Duçkollari. Në provat e grumbulluara nga Prokuroria është faktuar se Dritan Dajti ka përdorur uniformën e oficerit Maringlen Muçaj për të bërë fotografitë, me të cilat ka nxjerrë dokumentin e policisë me emrin Agron Zenelaj dhe gradën e nënkomisarit. Më poshtë aktakuza e prokurorisë:
Me dt. 07.08.2009 rreth orës 13.50 në lagjen nr.13, Plazh, Durrës pranw pistës sw vogwl “Iliria” janë vrarë me armë zjarri punonjësit e policisë Fatos Xhani, Altin Dizdari, Sajmir Duckollari, Kastrio Feskaj dhe shtetasi Ledjon Mara, si dhe janë plagosur shtetasit Dritan Dajti dhe Fatjon Shamku.
Në lidhje me këtë ngjarje Prokuroria për Krime të Rënda Tiranë me dt 07.08.2009 ka regjistruar procedimin penal nr.62 në ngarkim të shtetasit Dritan Hasan Dajti i akuzuar se ka kryer veprwn penale të vrasjes në rrethana cilwsuese ndaj punonjwsve tw policisë Fatos Xhani, Kastriot Feskaj, Saimir Duçkollari, Altin Dizdari.
Pas hetimeve, ka rezultuar se:
Më datën 07.08.2009 shërbimet e Sektorit të Operacioneve Speciale pranë Drejtorisë së Luftës Kundër Krimit të Organizuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit kanë marrë informacion mbi lëvizjet dhe vendndodhjen e personit në kërkim për vrasje, shtetasit Dritan Dajti. Nga kjo strukturë është organizuar puna për identifikimin, mbajtjen në vëzhgim dhe kapjen e këtij shtetasi, duke hartuar dhe planet e operacionit përkatës.
Gjatë kryerjes së këtij operacioni për kapjen e personit shumë të kërkuar shtetasit Dritan Dajti kanë qenë të pranishëm punonjësit e policisë Fatos Xhani, Kastriot Feskaj, Sajmir Duçkollari, Altin Dizdari, A.Xh., P.L., F.M., P.S., A.M., F.G., A.K dhe P.H.
Pikërisht në këtë datë këta punonjës policie kanë mbajtur nën vëzhgim të pandërprerë në zonën “Iliria” në lagjen nr.13 Plazh, Durrës shtetasin Dritan Dajti dhe rreth orës 13.45 minuta kanë konstatuar automjetin e tipit “Wolskwagen Touareg” ngjyrë e zezë me targa CR 535 FR. Pikërisht për këtë automjet ishte marrë informacion se drejtohej nga shtetasi Ergest Xhoxhi, i cili është kunati i personit në kërkim Dritan Dajti. Në vendin e parë të mjetit ka udhëtuar shtetasi Ledjon Mara dhe në sediljen e pasme të mjetit ka qenë shtetasi Dritan Dajti. Pas konstatimin të këtij automjeti grupi operacional ka vazhduar ndjekjen për mbajtjen në vëzhgim dhe kapjen e këtyre personave. Në një moment rreth orës 13.50 min të datës 07.08.2009 ky automjet ka ndaluar në afërsi të kryqëzimit që të çon për tek pista e vogël “Iliria”. Në këtë moment grupi operacional është afruar në drejtim të mjetit tip “Touareg” me tre automjetet e tyre dhe më konkretisht me autoveturën tip “Golf” ngjyrë blu, brenda së cilës kanë qenë punonjësit e policisë A.Xh dhe P.S. Në automjetin e dytë tip “Ford Fiesta” ngjyrë jeshile kanë qenë punonjësit e policisë Kastriot Feskaj dhe F.M. Ndërsa në mjetin e tretë tip “Renault” ngjyrë gri kanë qenë efektivat P.L., F.G dhe Sajmir Duçkollari. Ndërsa punonjësi i policisë Altin Dizdari është afruar tek mjeti “Touareg” me një motor tip “Scuter” ngjyrë bezhë.
Sapo janë afruar tek mjeti “Touareg”, punonjësi i policisë Fatos Xhani ka hapur derën e parë të shoferit të mjetit tip “Touareg” dhe me thirrjen “ndal policia” i është drejtuar personit që ndodhej në sediljen e pasme të mjetit. Menjëherë nga ana e personit që ndodhej brenda mjetit është hapur zjarr në drejtim të Fatos Xhanit, duke e lënë të vdekur atë. Po nga brenda makinës nga i njëjti person është hapur zjarr nga krahu i djathë i makinës sedilja e pasme nga brenda jashtë me dy armë zjarri ku për pasojë ka mbetur i vrarë punonjësi i policisë Sajmir Duçkollari.
Ndërkohë efektivët e policisë P.S dhe Kastriot Feskaj janë përpjekur të neutralizojnë tre persona, që qëndronin në këmbë pas mjetit tip “Touareg” në momentin kur forcat policore hynë në veprim. Polici P.S., ka neutralizuar për momentin një djalë të ri të moshës rreth 25 vjeç, 1.80 m i gjatë të cilin e ka rrëzuar në tokë. Punonjësi i Policisë F.M., ka neutralizuar dhe prangosur shtetasin Erges Xhoxhi, të cilin ka tentuar ta largojë nga vendi ku po zhvillohej ngjarja, pasi kishte shumë të shtëna me armë zjarri. Personi i kapur nga polici P.S., ka mundur t’i largohej këtij të fundit dhe në ndjekje të tij është vënë polici Kastriot Feskaj, duke u futur në një rrugicë, e cila është paralel me rrugën ku kishte ndaluar mjeti “Touareg”.
Personi që qëlloi nga brenda “Touareg”-ut dhe vrau dy punonjësit e policisë Fatos Xhani dhe Sajmir Duçkollari, doli nga dera e pasme e mjetit krahu pas shoferit dhe menjëherë ka hapur zjarr në drejtim të punonjësit të policisë Altin Dizdari në distancë të afërt. Nga shkëmbimi i zjarrit pikërisht në mesin e kryqëzimit ku po zhvillohej ngjarja ka mbetur i vrarë polici Altin Dizdari si dhe shtetasi Ledion Mara i cili ishte i shoqëruar me Ergest Xhoxhin. Pasi ka kryer këto veprime personi që doli nga makina vazhdoi rrugën në drejtim të plazhit me një çantë që kishte krahë qafë.
Me pistoletën që mbante në dorë personi ka qëlluar dy herë në drejtim të P.S., i cili kishte mbetur i rrëzuar në mesin e rrugës për në plazh në momentin që po përleshej me personin që arriti të largohej. Personi që u largua u ndoq nga Kastrioti dhe në hyrje të rrugicës së dytë Kastrioti ka arritur ta neutralizojë këtë person. Pasi ka parë këtë skenë personi që kishte pistoletën në dorë i është afruar nga pas policit Kastriot Feskaj, duke e qëlluar këtë dy herë nga pas. Personi i neutralizuar arriti të largohej nga vendi i ngjarjes dhe nuk është bërë e mundur kapja dhe identifikimi i tij. Personi që kishte pistoletën në dorë pasi ka qëlluar Kastriotin ka vazhduar rrugën drejt plazhit dhe ka qëlluar dhe në drejtim të shtetasit F.Sh., i cili po kthehej nga plazhi dhe ishte kalimtar i rastit. Në ndihmë të këtyre punonjësve të policisë kanë ardhur dhe efektiva të tjerë policie të cilët kanë bërë të mundur neutralizimin e personit me pistoletë në dorë. Pranë tij është afruar polici P.S., i cili ka arritur ta prangosë. Në këtë moment personi i prangosur është vetidentifikuar si Dritan Dajti. Gjatë veprimeve të kryera është konstatuar se arma që kishte në dorë Dritan Dajti nuk kishte më fishekë. Ai rezultoi të ishte i plagosur dhe për këtë arsye është transportuar nga Policia në drejtim të Spitalit Rajonal Durrës. Në çantën që ai mbante krahaqafë u gjetën dhe sekuestruan disa sende dhe dokumente personale të tij, si dhe një krehër pistoletë me fishekë.
Nga kjo ngjarje kanë mbetur të vrarë me armë zjarri punonjësit e policisë Fatos Xhani, Altin Dizdari, Sajmir Duçkollari, Kastriot Feskaj dhe shtetasi Ledjon Mara, si dhe janë plagosur i arrestuari Dritan Dajti dhe shtetasi F.S. Gjatë këtij operacioni policie është bërë e mundur të arrestohet shtetasi Ergest Xhoxhi, kunati i të arrestuarit Dritan Dajti. Gjatë hetimit është arritur të provohet se shtetasi Dritan Dajti ka falsifikuar dhe ka përdorur tri dokumente policie. Ndërsa në bashkëpunim me shtetasin Ergest Xhoxhi, ai ka falsifikuar dhe ka përdorur dokumentet e mjetit tip “Wolskwagen Touareg” me targa CR 535 FR.
Shtetasi Dritan Dajti me veprimet e tij të kundraligjshme ka konsumuar veprën penale të “Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese”, me pasojë vdekjen e katër punonjësve të policisë, si dhe vrasjen me dashje në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave, me pasojë vdekjen e shtetasit Ledion Mara dhe plagosjen e shtetasit Fatjon Shamku.
Nga hetimi i këtij procedimi penal është arritur të provohet se shtetasi Ergest Xhoxhi ka përkrahur të pandehurin Dritan Dajti, duke e transportuar atë nga një banesë në tjetrën, si dhe duke i siguruar kushte për t’u fshehur dhe për t’u strehuar, me qëllim që Dritan Dajti t’i shpëtojë kapjes dhe arrestimit, kjo falë lidhjeve familjare që Ergest Xhoxhi kishte me Dritan Dajtin, pasi Dritani rezulton të jetë burri i motrës së Ergest Xhoxhit.
Gjithashtu gjatë hetimit të këtij procedimi penal është arritur të provohet se shtetasi Ergest Xhoxhi, në bashkëpunim me shtetasin Dritan Dajti, ka falsifikuar dhe ka përdorur dokumentet e mjetit tip “Wolskwagen Touareg” me targa CR 535 FR, mjet me të cilin lëvizte shpesh Dritan Dajti.
Siç ka rezultuar nga hetimi, i arrestuari Ergest Xhoxhi ka përkrahur në mënyrë të vazhdueshme të kërkuarin Dritan Dajti, me qëllim t’i shpëtojë kapjes dhe arrestimit të tij.
Në vend ngjarje, përveç të tjerave është sekuestruar dhe një aparat telefoni celular me nr.06943..... që i përket të arrestuarit Ergest Xhoxhi.
Nga këqyrja e këtij aparati telefoni, por dhe nga marrja e të dhënave analitike nga Kompanitë e telefonisë celulare, ka rezultuar se ky shtetas, pra Ergest Xhoxhi kishte kontakte telefonike të shpeshta me punonjësin e policisë Mariglen Muçaj, në numrin e telefonit celular 06941..... (telefoni i punës). Nga këto të dhëna të përftuara prej këqyrjes së telefonit celular të të arrestuarit Ergest Xhoxhi ka rezultuar se ky shtetas ka pasur kontakte dhe me disa punonjës të tjerë policie.
Për këtë arsye hetimi u përqendrua në verifikimin e lidhjeve dhe marrëdhënieve të të arrestuarit Ergest Xhoxhi me këta punonjës policie.
Pas pyetjes së të gjithë punonjësve të policisë, që kishin kontakte telefonike me të arrestuarin Ergest, ka rezultuar se punonjësi i policisë Mariglen Muçaj ka pasur lidhje të ngushta shoqërore me të arrestuarin Ergest Xhoxhi. Duke iu referuar të dhënave të përftuara nga shpjegimet e punonjësve të policisë, të pyetur nga ana jonë, ka rezultuar se Oficeri i Policisë, shtetasi Mariglen Muçaj ka bërë të mundur t’i sigurojë Ergest Xhoxhit një uniformë policie, uniformë të cilën Ergesti dhe kunati i tij, i pandehuri Dritan Dajti e ka përdorur për të realizuar disa dokumente policie me foton e tyre. Nga hetimi ka rezultuar se në këto dokumente policie, i pandehuri Dritan Dajti ka përdorur foto të realizuar me uniformën e policisë që oficeri i policisë Mariglen Muçaj i kishte dhënë Ergest Xhoxhit që në muajin mars të viti 2008. Nga hetimi ka rezultuar se këtë uniformë policie, oficeri i policisë Mariglen Muçaj e kishte tërhequr në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Korçë, në kohen kur ai ishte oficer policie në atë Drejtori. Gjithashtu provohet fakti se në fotot e dala me uniformë policie nga i pandehuri Dritan Dajti, dukshëm dallohet grada nënkomisar që i përket gradës me të cilën është i graduar oficeri Mariglen Muçaj. Edhe në fletëhyrjen Dokument Identifikimi, lëshuar nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Korçë, me emrin Astrit Zeneli dhe me fotot të të pandehurit Dritan Dajti, funksioni organik është i njëjtë me funksionin që ka pasur në Korçë dhe ka aktualisht në D.P.Q Durrës oficeri Mariglen Muçaj konkretisht “Specialist në sektorin kundër Krimeve ndaj pronës”
Pra nga hetimi i këtij procedimi arritëm të provojmë se oficeri i policisë Mariglen Muçaj, me veprime në kundërshtim me ligjin, i ka krijuar lehtësira të arrestuarve Ergest Xhoxhi dhe veçanërisht personit shumë të kërkuar Dritan Dajtit, që t’i shmangej kapjes dhe arrestimit të tij përmes krijimit të kushteve për të fshehur identitetin dhe pozitën ligjore të tij.
Janë kryer të gjitha veprimet hetimore të domosdoshme, për të provuar akuzën në ngarkim të tre të pandehurve nga organi procedues nuk u arrit që provohej aktiviteti kriminal veçanërisht në fushën e “gjobëvënies”, konsumuar gjatë kohës kur ka qenë në kërkim nga i pandehuri Dritan Dajti. Nga hetimi nuk u arrit të provohej fakti se kush ishte personi që neutralizoj veprimet kriminale të pandehurit Dritan Dajti dhe me çfarë arme është bërë e mundur neutralizimi i autorit të veprës penale Dritan Dajti. Pikërisht në lidhje me këto dy rrethana të pa sqaruar nga hetimi organi procedues ka vendosur se ndaj procedimin 62 viti 2009, në ngarkim të Dritan Dajtit për veprën penale, të parashikuar nga neni 109/”b””,në 62/1 viti 2009 në ngarkim të Dritan Dajtit, Ergest Xhoxhit dhe Mariglen Muçaj, duke vendosur dërgimin e procedimit penal nr 62/1 viti 2009 për gjykim në Gjykatën për Krime të Rënda Tiranë me akuzat e mësipërme.
Vrasja e Fatos Xhanit
Agjenti i Operacioneve Speciale, Fatos Xhani, ka qenë i pari efektiv policie që u qëllua për vdekje nga i shumëkërkuari Dritan Dajti. Në cilësinë e komandantit të skuadrës, ai është afruar te dera e shoferit të automjetit, ku ndodhej Dajti duke thirrur “NDAL POLICIA”. Sipas prokurorisë i shumëkërkuari është kundërpërgjigjur menjëherë, duke qëlluar me armë dhe duke lënë të vdekur në vend agjentin e policisë njëherësh komandant i grupit ku bënin pjesë tre policët e vrarë.
Ekzekutimi i Sajmir Duçkollarit
Agjenti i Operacioneve Speciale, Sajmir Duçkollari, është oficeri i dytë i vrarë nga Dritan Dajti. Pasi kishte qëlluar Fatos Xhanin në derën e përparme të majtë të automjetit ku ndodhej, i kërkuari Dajti ka parë djathtas, një agjent policie që ishte afruar me motor te makina. Ky efektiv ka qenë Sajmir Duçkollari, i cili është vrarë pasi Dajti ka qëlluar me pistoletë nga brenda makinës pa hapur fare xhamin e errët.
Përplasja me Altin Dizdarin
Pasi ka vrarë Fatos Xhanin dhe Sajmir Duçkollarin, pa dalë nga makina, Dritan Dajti ka hapur derën e majtë të pasagjerit dhe ka dalë nga automjeti. Ai ka ecur duke lënë pas vendin ku ishte parkuar makina, duke dalë në një kryqëzim. Sapo ka dalë në kryqëzim, Dritan Dajti ka qëlluar me armë në drejtim të Altin Dizdarit, i cili në këtë kohë kishte ndaluar Ledion Marën. Si pasojë e të shtënave është vrarë oficeri i policisë Altin Dizdari, ndërsa është qëlluar edhe shtetasi Ledion Mara, i cili më parë ndodhej në makinë me Dajtin.
Plumbat mbi Kastriot Feskën
Agjenti i operacioneve speciale Kastriot Feskaj është polici i katërt i vrarë nga Dritan Dajti. Sipas Prokurorisë, Kastriot Feskaj, ishte vënë në ndjekje të personit të tretë që ka dalë nga makina e Dritan Dajtit. Pasi ka hyrë në një rrugicë paralele me rrugicën ku ndodhej e parkuar makina e Dritan Dajtit, Kastriot Feskaj ka arritur të ndalojë personin e katërt që shoqëronte Dritan Dajtin. Ky i fundit pasi kishte vrarë tre agjentë të policisë është afruar tek Kastriot Feskaj dhe në distancë të afërt ka qëlluar ndaj tij.