Rama: Takim interesant në planin intelektual
Sekretari francez i shtetit për Çështjet Evropiane, Pierre Lellouche, pas takimit me Kryeministrin Sali Berisha ka zhvilluar një takim në Bashkinë e Tiranës, kryebashkiakun Edi Rama, njëherësh dhe lideri i PS-së. Në takim ishin të pranishëm dhe deputetët socialistë, Arta Dade e Ditmir Bushati. Sipas njoftimit për shtyp, tema kryesore e bisedimeve mes Ramës dhe sekretarit Lellouche ishte pikërisht situata politike në vend. Pas këtij takimi, kryesocialisti ka bërë të ditur se opozita nuk do të tërhiqet nga qëndrimi i saj për të bojkotuar institucionet deri në plotësimin e kërkesave të opozitës. “Si të gjitha takimet e këtyre kohëve, me miq dhe partnerë ndërkombëtarë, ishte një takim shumë këndshëm dhe interesant në të gjitha planet, posaçërisht në planin intelektual dhe unë dua të vë fort theksin, në faktin se ne jemi shumë të vetëdijshëm, shumë të bindur dhe shumë të vendosur, në rrugën që kemi zgjedhur për të garantuar lirinë dhe demokracinë për të gjithë, dhe jo për një familje të vetme”, tha Rama. Kryesocialisti shtoi se rruga e opozitës është për të garantuar demokracinë e vendit. Sekretari i shtetit francez pas takimit nuk dha ndonjë prononcim mbi “ballafaqimin” e kryer me liderin e PS-së. Por pas takimit të kryer mes dy liderëve të partive të mëdha, bëri thirrje për dialog, si dhe i kërkoi PS-së që t’i japë fund bojkotit. Partia Socialiste ka vendosur si kushte të saj për hyrjen në Parlament, hapjen e kutive të votimit për rinumërimin e votave të 28 qershorit. Ky është edhe kushti kryesor i PS-së, për të cilën maxhoranca nuk e ka pranuar, pasi PD ka deklaruar se nuk mund të dilet mbi vendimet e gjykatave. Ndërsa faktori ndërkombëtar ka bërë thirrje për dialog politik mes maxhorancës dhe opozitës, duke i bërë të qartë Partisë Socialiste se ai zhvillohet në institucione, pra në Parlament.