Jemi të interesuar për bashkëpunim, jo ksenofobizëm me fqinjët

Ministri i Jashtëm, Ilir Meta u përgjigjet përsëri akuzave të opozitës, për kufirin detar me Greqinë
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, ka reaguar përsëri dje, ndaj akuzave të vazhdueshme të opozitës, lidhur me marrëveshjen detare me Greqinë. Ilir Meta u shpreh se Shqipëria është e interesuar për bashkëpunim të ngushtë fqinjësor dhe jo të rrisë ksenofobizmin me fqinjët. Gjatë një aktiviteti të organizuar nga Instituti i Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Këshilli Shqiptar për Marrëdhëniet me Jashtë, Meta theksoi rëndësinë e vendosjes në një tjetër stad të marrëdhënieve diplomatike me fqinjët rajonalë, duke e konsideruar këtë si një hap të rëndësishëm përpara. Në këtë kontekst, duke folur për marrëveshjen e përcaktimit të kufirit detar me Greqinë, Meta tha se ky bashkëpunim nuk duhet të shoqërohet nga mbarsja me një frymë ksenofobiste. “Kjo është një stuhi në një gotë me ujë. Nxitet frymë ksenofobie dhe ekstremizmi kur dihet se Shqipëria do nisë negociatat me BE, krijohet frymë që s’ka lidhje me politikën e jashtme të Shqipërisë”, u shpreh shefi i diplomacisë shqiptare, Ilir Meta.
...