Shqipëria garanton me ligj dhe në realitet lirinë e besimit dhe ushtrimin e lirë të besimit fetar

Raporti i Departamentit të Shtetit për liritë fetare, për vitin 2009
Përmes një raporti të Departamentit amerikan të Shtetit, Shqipëria renditet në listën e vendeve që rregullojnë me ligj të drejtën e besimit dhe ushtrimit të lirë të fesë.
Raporti i publikuar dje, thekson se në mënyrë të veçantë, qeveria respekton liritë fetare në praktikë. “Kushtetuta garanton lirinë e fesë dhe ligje dhe politika të tjera kontribuuan për ushtrimin e lirë të fesë. Qeveria përgjithësisht respektoi liritë fetare në praktikë. Nuk pati ndryshim në statusin e respektimit për lirinë fetare nga qeveria gjatë periudhës së raportimit. Nuk pati raportime për abuzime apo diskriminim shoqëror mbi bazë identifikimi, besimi, apo ushtrimi fetar”, thuhet në raportin vjetor të DASH.
Raporti thekson se Shqipëria me një sipërfaqe prej 11,100 milje katrore dhe një popullsi prej 3.6 milionë, shumica e shtetasve nuk ushtrojnë ndonjë besim në mënyrë aktive. Megjithatë, thuhet në raport, katër grupet fetare tradicionale janë myslimanët (sunitë), bektashinjtë (një formë e sufizmit shia), të krishterët ortodoksë (Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë), si dhe katolikët romakë.
Qeveria, thuhet në raport, është shekullare. Sipas Kushtetutës, nuk ekziston një fe zyrtare dhe të gjitha fetë janë të barabarta; megjithatë, bashkësitë mbizotëruese fetare (myslimanët sunitë, bektashinjtë, ortodoksët dhe katolikët) gëzojnë një shkallë më të madhe njohjeje zyrtare (p.sh. festat kombëtare) dhe statusi shoqëror bazuar mbi praninë e tyre historike në vend. Pushimet zyrtare përfshijnë ditët e shenjta për të katër besimet mbizotëruese.
Raporti bën me dije se qeveria shqiptare nuk kërkon regjistrim apo licensim të grupeve fetare; megjithatë, Komiteti Shtetëror për Kultet mban të dhëna dhe statistika për organizatat fetare të huaja që e kontaktojnë atë për ndihmë.
Neni 10 i Kushtetutës kërkon marrëveshje të veçanta dypalëshe për të rregulluar marrëdhëniet midis qeverisë dhe bashkësive fetare.
Raporti i referohet në mënyrë të veçantë marrëveshjes së nënshkruar më 24 tetor 2008, që, qeveria nënshkroi me bashkësitë myslimane, ortodokse dhe bektashiane.
“Kisha Katolike ka pasur një marrëveshje të tillë me qeverinë qysh në vitin 2002. VUSH, një organizatë protestante ombrellë, ka kërkuar të konkludojë një marrëveshje dypalëshe. Mes avantazheve të pasjes së një marrëveshje përfshihet njohja zyrtare e bashkësisë, rikthimi me përparësi i pronave dhe përjashtimi nga taksat. Mbështetja financiare nga qeveria dhe subvencionet shtetërore për pagat e klerikëve do të zbatohen bazuar mbi një ligj për financimin e bashkësive fetare miratuar më 5 qershor 2009”, thuhet në raport, duke iu referuar marrëveshjes qeveri-bashkësi fetare.
“Nuk pati raportime për të ndaluar apo të burgosur fetarë në vend”, thuhet në raportin e DASH.
Po ashtu, theksohet se nuk ka patur raportime për konvertim fetar me forcë, përfshi të shtetasve minorenë të SHBA të rrëmbyer apo larguar jashtëligjshëm nga Shtetet e Bashkuara apo që nuk lejoheshin të ktheheshin në Shtetet e Bashkuara.
Në raport evidentohet gjithashtu fakti se nuk pati raportime për abuzime dhe diskriminim nga shoqëria me bazë identifikimin, besimin, apo ushtrimin fetar; nuk pati as raportime për akte domethënëse vandalizmi.
Qeveria e SHBA diskuton mbi lirinë fetare me qeverinë si pjesë e politikës së saj të gjithanshme për nxitjen e të drejtave të njeriut.
Ambasada e SHBA mbështeti përpjekjet e Komitetit Shtetëror për Kultet për të zhvilluar dhe plotësuar marrëveshje dypalëshe midis shtetit dhe disa bashkësive fetare.
...