Liberalizimi i vizave, para qershorit të 2010-s

Kryeministri Berisha rithekson axhendën e qeverisë për garantimin e lëvizjes së lirë dhe integrimin e vendit në BE
Kryeministri Berisha siguron të gjithë shqiptarët se vendimi për liberalizimin e vizave do të merret para qershorit të 2010-s. Ai tha se qeveria do të përparësojë të gjitha problemet e integrimit dhe të liberalizimit të vizave dhe problemet e luftës kundër korrupsionit, kundër krimit të organizuar në tërësi për problemet më madhore të vendit. Kryeministri Sali Berisha garanton përmbushjen e premtimit elektoral, porsa i takon lëvizjes së lirë, së qytetarëve shqiptarë. Kreu i qeverisë u shpreh dje para deputetëve demokratë në mbledhjen javore të grupit parlamentar, se Shqipëria do të përfitojë nga liberalizimi i vizave jo më larg se qershori i vitit të ardhshëm. Berisha u shpreh se qeveria do bëjë përpjekjet më të mëdha, për të realizuar në kohë rekord të gjitha obligimet që rrjedhin nga marrëveshja e “Shengenit”. “Qeveria, që nga votëbesimi i saj në Parlament e deri më sot, ka bërë përpjekjet më të mëdha në krahasim me çdo fushë tjetër për të plotësuar të gjitha kërkesat në njësi kohe rekord dhe për të merituar këtë vendim. Ne e marrim atë si një vendim që duhet t’a meritojmë. Në vendimin e Komisionit Evropian, siç është bërë e qartë edhe publikisht, ka pasur një ndikim të qartë numri tepër i vogël i pajisjes së qytetarëve me pasaporta biometrike. Unë kam kënaqësi t’ju informoj ju se deri më tani aplikimet për pasaporta biometrike janë 231 725, nga të cilat janë prodhuar dhe shpërndarë në rajonet e policisë 223 545 dhe janë tërhequr nga shtetasit rreth 180 000. Edhe njëherë, thirrja ime për mbarë qytetarët shqiptarë është që të aplikojnë për t’u pajisur me pasaportat e reja biometrike, pasaporta të teknologjisë më të lartë”, u shpreh kryeministri.
Nisur nga ky proces i rëndësishëm dhe jetik, kryeministri Berisha ftoi edhe njëherë opozitën të marrë rolin e saj dhe të faktojë se është ‘pro’ integrimit dhe standardizimit të Shqipërisë. Konsensusi i opozitës, tha kryeministri, është i domosdoshëm për projekte madhore për Shqipërinë dhe shqiptarët. “Gjej edhe një herë rastin që të ftoj opozitën, të marrë rolin dhe misionin e saj në këtë proces historik, sepse vërtetë realizmi i aktit të heqjes së vizave për shqiptarët dhe lëvizja e tyre në mbarë Evropën e Bashkuar pa viza, është një arritje historike, jo vetëm kombëtare, por dhe individuale për çdo qytetar shqiptar. Është një shans i ri i madh për të gjetur konsensusin e bashkëpunimit për projekte kaq madhore për Shqipërinë dhe shqiptarët”, tha Berisha.
Shefi i ekzekutivit bëri me dije se qeveria mbetet e angazhuar për të mbajtur premtimin elektoral rreth lëvizjes së lirë në hapësirën evropiane “Shengen”. “Ne kemi premtuar gjatë fushatës elektorale se brenda vitit të parë të këtij mandati do të bëjmë të gjitha përpjekjet dhe do të plotësojmë të gjitha kushtet dhe reformat, që të merret vendimi për heqjen e vizave për shqiptarët. Ky vendim është jashtëzakonisht i rëndësishëm për çdo vend, por, ndoshta, është ndër më të rëndësishmit për shqiptarët, pasi pothuajse 25 për qind e tyre janë në emigracion dhe kanë me mijëra e mijëra probleme bashkimi familjar, kanë edhe mundësi shkollimi dhe punësimi më të madhe. Pra, ky vendim krijon një situatë tërësisht të re për qytetarët shqiptarë”, deklaroi kryeministri.
Duke iu referuar dokumenteve të reja të identitetit, kryesisht pasaportat biometrike, Berisha e cilësoi si domosdoshmëri pajisjen me to, ndërsa theksoi edhe vlefshmërinë e tyre si një dokument i teknologjisë më të lartë në botë. Për këtë, Berisha solli në vëmendjen, përmes një shembulli konkret, vlerësimin që i kanë bërë autoritetet amerikane pasaportave të reja. “Unë isha një Nju Jork dhe një student nga Bostoni më dërgoi një mesazh ku më kërkonte që, nëse kisha mundësi, ta prisja pesë minuta. E mendova që ai vjen nga Bostoni në Nju Jork dhe do t’ia jepja pesë minuta, ndonëse mesazhi nuk përdoret ndonjëherë nga unë për të përcaktuar takime. Ai studionte me një bursë “Fulbright” për Master dhe së pari shprehu krenarinë e tij për zgjedhjet që në zhvilluam, por një tjetër urim që më bëri dhe për të cilën ndjehej krenar ishte pasaporta, sepse autoritetet e kontrollit të kufirit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kishin thënë se është e teknologjisë më të lartë dhe më të rralla, gjë që e kishte bërë këtë student krenar”, tha kryeministri. Ai u apeloi të gjithë shtetasve që të pajisen me këto dokumente, pasi sipas tij, është një kontribut i çmuar në procesin e liberalizimit të vizave. “E tregova këtë episod për të theksuar rëndësinë që ka pajisja me këtë dokument të ri modern për të gjithë qytetarët, por edhe për të kontribuar në procesin e liberalizimit të vizave”, tha kryeministri. Duke iu referuar masave të qeverisë për kontrollin e kufijve, kryeministri Berisha tha se ky proces po shkon drejt modernizimit. “Aktualisht janë marrë masa për të siguruar akses të drejtpërdrejtë të stacioneve të policisë dhe pikave të kalimit kufitar në bazën e të thënave të Interpolit për pasaportat e humbura dhe të vjedhura. Strukturat vendore dhe qendrore për hetimin e krimeve dhe pikat e kalimit kufitar kanë akses të drejtpërdrejtë në sistemin ASP të Interpolit. Për pasaportat e humbura, por edhe për makinat, ligji për kontrollin dhe mbikëqyrjen e kufijve shtetërorë po zbatohet dhe po implementohet në çdo hallkë të tij”, nënvizoi kryeministri.
Të njëjtin përkushtim, Berisha theksoi edhe për luftën kundër korrupsionit. Kreu i qeverisë i’u referua reformave të mëdha të viteve të fundit, të cilat bënë të mundur vendosjen e standardeve të reja dhe për të shkëputur Shqipërinë nga praktika e korruptuar e nomeklaturës komuniste. “Kërkohet një luftë me efiçente kundër korrupsionit. Për atë vendim që u mor, të nderuar zotërinj deputetë, për t’u shkëputur nga një praktikë e korruptuar e nomenklaturës së vjetër dhe për të vendosur në këtë vend standartet e një vendi, që qëndron në grupin e 10 vendeve të para për luftën ndaj korrupsionit, siç është Austria, në përdorimin e fondeve publike për transportin, i ka dhënë një ndihmë shumë të madhe vendit dhe ka dëshmuar vullnetin tuaj të hekurt dhe të çeliktë për të luftuar korrupsionin”, tha kryeministri.
...