Në Luksemburg fillon sot shqyrtimi i kërkesë së Shqipërisë për marrjen e statusit të vendit kandidat për në BE

Ministri i Jashtëm i Britanisë së Madhe, Dejvid Miliband, bën thirrje për mirëpritjen e Shqipërisë në BE
Ministrat e Punëve të Jashtme të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian të mbledhur që dje në Luksemburg, do të shqyrtojnë sot edhe kërkesën e qeverisë shqiptare për t’u shpallur vend kandidat për anëtarësim. Burime nga Brukseli bëjnë të ditur se sot, do të ketë një diskutim të gjatë për vendet e Ballkanit Perëndimor ku përfshihet Shqipëria. Nisja e parakohshme e shqyrtimit të këtij aplikimi është një nismë e ministrit të Jashtëm italian Franko Fratini. Ky i fundit, pak ditë më parë gjatë takimit me zëvendëskryeministrin shqiptar Ilir Meta premtoi se do të jetë një avokat i perspektivës evropiane të Shqipërisë, duke shtuar se “të gjithë rajonin e pret e ardhmja evropiane”. “Në axhendën e ditës së martë (sot), krerët e diplomacisë evropiane, kanë në plan të shqyrtojnë aplikimin e Shqipërisë për të marrë statusin e vendit kandidat për t’u anëtarësuar në BE”, thanë burime shqiptare diplomatike në Bruksel që po vjelin informacion të rifreskuar nga mbledhja. Shqipëria aplikoi për statusin kandidat në Bashkimin Evropian në 28 prill të këtij viti gjatë Presidencës Çeke të Bashkimit Evropian. Ndërkohë Ministri i Jashtëm i Britanisë së Madhe, Dejvid Miliband, deklaroi dje se Shqipëria duhet mirëpritur në synimin e saj për të qenë pjesë e Bashkimit Evropian, ashtu si dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. “Ballkani Perëndimor, Turqia dhe Ukraina, që të gjithë e dëshirojnë anëtarësimin. Ne duhet t’i mirëpresim”, theksoi Miliband i cituar dje nga e përditshmja britanike “The Times”. “Unë bëj thirrje për zgjerimin e kufijve të Evropës në Lindje, për të përhapur demokracinë, aty ku dikur ka mbretëruar diktatura”, theksoi Miliband, duke iu referuar vendeve ish-komuniste, me diktatura të egra ku përfshihet Shqipëria. “Evropa ka buxhetin e dytë më të madh të ndihmave në botë, forcat ushtarake dhe të policisë po bëjnë një punë të jashtëzakonshme, pa marrë parasysh se a bëhet fjalë për luftën kundër piraterisë në Gjirin e Adenit, apo misionit për sundimin e ligjit në Kosovë”, theksoi më tej Miliband. Nga ana tjetër, kryediplomati britanik ka sugjeruar se Bashkimi Evropian, si një organizëm me 27 shtete anëtare duhet t’i shndërrojë në prioritet marrëdhëniet e veta me Uashingtonin zyrtar, Pekinin dhe Moskën.
...