E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jemi të parët në botë për prokurime

Bregu

Zëdhënësja e qeverisë, Majlinda Bregu, deklaroi dje se qeveria shqiptare ka marrë vlerësim nga Organizata e Kombeve të Bashkuara si vendi i parë në botë për prokurime përmes internetit në masën 100 për qind.

"Reduktimi i burokracive dhe përmirësimi i shërbimeve publike si pjesë e reformave të kësaj qeverie për transparencë dhe luftë kundër korrupsionit, janë vlerësuar maksimalisht nga Organizata e Kombeve të Bashkuara në vlerësimin e saj vjetor për qeverisjen dhe administratën publike”, tha Bregu.

“Organizata e Kombeve të Bashkuara i akordon Agjencisë së Prokurimeve Publike të Shqipërisë çmimin e ekselencës. Agjencia shqiptare e prokurimeve publike renditet përkrah 15 institucioneve në mbarë botën që merr çmimin për shërbime publike të shkëlqyera për vitin 2010”, vijoi më tej Bregu.
Sistemi i prokurimeve elektronike u realizua nga qeveria me asistencë të donatorëve të huaj tre vjet më parë, kohë gjatë së cilës, shumë kompani apo subjekte individuale kanë humbur tenderët për shkakun e thjeshtë se nuk e përdorin internetin. Të tillë qenë disa peshkatarë në Sarandë, të cilët nuk fituan të drejtën për të ripërtërirë kontratën e shfrytëzimit të një hapësire detare për kultivim, për shkak se tenderi qe zhvilluar në mënyrë elektronike.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›