E Diel, 1 Nëntor 2026

Çështja Hoxha, prokuroria gjen dëshmitarin kyç në Holandë

Seanca Gjykata e Krimeve të Rënda rinis letër-porosinë pas saktësimit të adresës së Avdyl Loshajt në qytetin e Bradës

Gjykata e Krimeve të Rënda ka rinisur në drejtim të Holandës një tjetër letërporosi për pyetjen e Avdyl Loshajt, i cilësuar nga prokuroria si dëshmitari kryesor në zhdukjen e Remzi Hoxhës. Për këtë dosje janë të pandehur disa ish-shikas, ndërsa procesi gjyqësor po mbahet peng i disa dëshmitarëve të kërkuar nga organi i akuzës. Njëri prej tyre, pikërisht Loshaj, cilësohet si viktimë, pasi është rrëmbyer dhe më pas torturuar nga strukturat e SHIK-ut në vitin 1995 së bashku me Remzi Hoxhën dhe Ziso Kristopullin. Megjithatë, gjykata e ka pasur të pamundur pyetjen e tij, pasi nga letërporositë e dërguara në shtetin e Holandës ai nuk figuronte i regjistruar në atë shtet. Prokuroria kishte dyshime se Loshaj i fshihej drejtësisë, pasi ndihej i rrezikuar ende dhe nuk ishte regjistruar në asnjë vend. Por pas verifikimeve të Prokurorisë së Krimeve të Rënda është caktuar adresa dhe i është servirur gjykatës, e cila ka ridërguar në Holandë kërkesën për pyetjen e Loshajt.
Një seancë më parë, autoritetet e drejtësisë holandeze, nëpërmjet letërporosisë i kanë kthyer përgjigje Ministrisë së Drejtësisë për këtë problem. “Personi me emrin Avdyl Loshaj, për të cilin ju jeni të interesuar, për ta marrë në pyetje si dëshmitar, nuk ka adresë në qytetin e Bradës. Po kështu, ky person nuk figuron të jetë i regjistruar me këtë emër. Në këto kushte, ne nuk mund t’ju ndihmojmë dot për ta marrë në pyetje”, thuhet në shkresën e Ministrisë së Drejtësisë së Holandës dërguar në Shqipëri. Fill pas leximit të kësaj përgjigjeje ka reaguar edhe prokurori Xhevat Hana, duke deklaruar para Kolegjit Penal të Krimeve të Rënda se “jam i bindur se Avdyl Loshaj ndodhet në qytetin e Bradës në Holandë”. Dhe bindja e prokurorit ka qenë e drejtë, pasi ai është gjetur.
Prokuroria deklaron se në dhjetor të vitit 2003, Loshaj është pyetur në ambasadën tonë në Holandë për ngjarjen e vitit 1995, pasi ishte pjesë e skenarit të rrëmbimit dhe të torturimeve. Ndërkohë, një seancë më parë Ministria jonë e Drejtësisë ktheu përgjigje për tre dëshmitarët që aktualisht ndodhen në Itali dhe kanë dijeni për veprimet që ka kryer SHIK në bazën e tij në Vain të Lezhës për të rrëmbyerit Remzi Hoxha, Avdyl Loshaj, Ziso Kristopuli e të tjerë. “Marin Miraj, Gjok dhe Flora Hasani kanë marrë njoftim se do të pyeten si dëshmitarë dhe, nga autoritetet italiane është caktuar data 25 qershor si ditë kur ata do të jenë përballë prokurorëve”, thuhet në letërporosinë e sjellë nga autoritetet italiane. Sipas gjykatës, përgjigjja nga Italia ka ardhur më 17 maj pranë gjykatës. Sipas prokurorisë, Marin Miraj, Gjok dhe Flora Hasani janë tre dëshmitarë që aktualisht ndodhen në Itali. Prokuroria prej disa muajsh ka bërë përpjekje për gjetjen e adresave të tyre, ndonëse në rrugë institucionale janë marrë një herë në pyetje në ambasadën tonë në shtetin fqinj. Tre dëshmitarët e mësipërm kanë dijeni për veprimet që kanë kryer punonjësit e SHIK-ut në vitin 1995 në bazën e Vainit në Lezhë me Remzi Hoxhën dhe të rrëmbyerit e tjerë. Sipas akuzës, këta janë të vetmit që kanë parë Remzi Hoxhën në ditët e tij të fundit të jetës dhe kanë dijeni për zhdukjen e tij.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›