E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

“Jeni presidenti më proshqiptar”/ Rama: Kontributi i Klintonit për Shqipërinë dhe Kosovën, i pashoq

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se kontributi i ish-presidentit amerikan Bill Klinton është i paçmuar dhe jashtëzakonshëm për shpalljen e pavarësisë së Kosovës.

Rama solli në vëmendje mbrëmjen e 24 marsit 1999, kur Bill Klinton urdhëroi bombardimin e Serbisë si përgjigje ndaj gjenocidit që regjimi i Millosheviçit po kryente në Kosovë.

“Ne kemi pasur forcën e fjalës së presidentit Klintonit në mbrëmjen e 24 marsit kur ai iu drejtua Amerikës për të lajëmëruar bombardimin e Serbisë për brutalitetin e saj në Kosovë.

Kjo është për Kosovën një gur përcaktues për të ardhmen ashtu siç është fjalimi i Abraham Lincoln në Getisburg.

Adresimet e tij direkte për dy popujt e përfshirë në një konflikt mizor të shkaktuar nga regjimi diktatorial ka lënë pa frymë çdo shqiptar dhe çdo serb”, u shpreh Rama në ceremoninë në nder të presidentit të 42-të të SHBA-ve.

 Rama theksoi gjithashtu se Klintoni është presidenti amerikan më proshqiptar për një vend si Shqipëria dhe Kosova, ndër më proamerikanet në rajonin e Ballkanit.

“Duke qenë shqiptar kam dëshirë të besoj se ne jemi vendi i shqiponjave. Vendlindja e presidentit Klinton  quhet Shpresë dhe nuk është rastësi që shpresën iu dha edhe shqiptarëve të Kosovës. Ai na mësoi se të kesh shpresë do të thotë të besosh. Ka vetëm regjime të këqija dhe nuk ka popuj të këqij.

Mund të thuhet pa frikë se gjysmë milionë refugjatët e Kosovës erdhën për të kërkuar shpëtim në Shqipëri, mund të mos ishin kthyer në shtëpi.

E shkuara mund t’i kishte grabitur kushedi sa kohë të ardhmes.  Ndaj kontributi i Klintonit ishte mjaftueshëm i çmuar.  

Klintoni ishte pikë referimi dhe frymëzimi për shqiptarët. I dashur z. President, ne në Shqipëri nuk merremi vesh lehtë me njëri-tjetrin, e kemi vështirë të bëhemi bashkë nëse nuk na kërcënon një armik i jashtëm.

Shqipëria sot e gjithë ditën është besnike e metodës Klinton. Shqipëria është vendi më proamerikan që mund të gjendet sot. Ju jeni presidenti më proshqiptar që mund të gjendej. Vendi juaj është aty ku qëndron miku më i madh i nderit”, përfundoi Rama.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›