E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jep dorëheqjen nënkryetari i KLD-së Kreshnik Spahiu

Kreshnik Spahiu ka dhënë sot dorëheqjen nga posti i nënkryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Në një konferencë për shtyp, Spahiu theksoi se shkak për këtë janë presionet e vazhdueshme të pushtetit, që siç tha ai kanë nisur që në vitin 2008.

 “Marr vendimin të largohem nga detyra se kjo nuk është një luftë personale. Karriget ashtu si dhe jeta janë të përkohshme, kauzat janë të përjetshme” ka thënë Spahiu.

Gjithashtu Spahiu theksoi se do t`i drejtohet edhe Gjykatës Kushtetuese në lidhje me antikushtetueshmërinë e ngritjes së komisionit parlametar për të hetuar veprimtarinë e tij si nënkryetar i KLD-së.
 

“Do t`i drejtohem Gjykatës Kushtetuese si i vetmi arbitër që të zgjidhë konfliktin mes dy pushteteve dhe për t`i thënë stop veprimtarive antikushtetuese dhe nëse Gjykata Kushtetuese do të vendosë në favorin tim unë nuk do të ktheme më në këtë post” ka deklaruar Spahiu.
 

Ai ka deklaruar se gjatë gjithë kohës që ka qenë në krye të detyrës ka qenë nën një presion dhe agresion të vazhdueshëm të pushtetit.

“Që korrik 2008 nisi udhën një konflikt pushtetesh, kur ish ministri i Drejtësisë kërkoi mandatin tim, do të kalonin 3.5 vite përpjekje, debate për të zgjidhur konfliktin e mosndërhyrjeve të pushtetit ekzekutiv me gjyqësorin. Për tre vite kishim një Kuvend që paralizoi reformën në drejtësi. Reforma u paralizua për shkak të krizës politike në kuvend, sikur të mos mjaftonte kjo që mbajti peng gjithë shtetin dhe refuzimin e statusit, Kuvendi do të miratonte një sërë aktesh që cenonin integritetin territorial dhe identitetin tonë kombëtar” ka theksuar Spahiu.

Sipas tij, një vit më parë së bashku me kolegët e KLD konstatuan këtë cënim të identitetit kombëtar nga një ligj që ishte kaluar nga  Kuvendi dhe “këtu paqja mori fund dhe tërbimi do adresohej për një vit rresht.

“U them punë të mbarë atyre që më mbështetën përballë një presion agresiv për 4 vite të këtij pushteti, ndërsa atyre që më presin jashtë i them udhë të mbarë në këtë rrugë të gjatë që kemi”- përfundoi deklaratën e tij Spahiu ndërsa më pas është larguar nga ambjentet e KLD-së duke u bashkuar me aktivistët e Aleancës "Kuq e Zi" që e prisnin jashtë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›