E Diel, 1 Nëntor 2026

Jep doreheqjen trajneri i Kombetares se Basketbollit Fatmir uka

Një bombë që edhe pritej, ndonëse trondit me gjëmimin e saj. Fatmir Cuka ka vendosur të japë dorëheqjen nga posti i trajnerit të kombëtares së basketbollit të meshkujve të Shqipërisë. Arsyet për të cilat, Cuka ka marrë këtë vendim, sipas tij janë vonesat në përgatitjen e ekipit për eleminatoret e kampionatit europian, por edhe mosplotësimi i premtimeve të tjera nga ana e Federatës Shqiptare të Basketbollit.
Cuka kishte kërkuar nisjen e grumbullimit më 1 korrik dhe zhvillimin e ndeshjeve miqësore, gjë që, sipas tij, kundërshtarët e Shqipërisë e kanë bërë. Trajneri shprehet se nga Federata iu premtua dërgimi i ekipit në Japoni për t’u përgatitur gjë që nuk ndodhi.
Ish-basketbollisti i Dinamos dhe i klubeve turke, thekson edhe diferencën në mentalitet mes tij dhe drejtuesve të Federatës si shkak për këtë divorc. Përveç kësaj, ai shtoi edhe se nuk u bë asgjë për projektet e tij për të bërë kurse kualifikimi për trajnerët, duke sjellë lektorë nga Amerika.
Tashmë, Cuka ka vendosur të vazhdojë biznesin e tij në SHBA, ndërsa Federata duhet të mendojë për të gjetur një trajner të ri, ndërsa eleminatoret janë në prag.
Përfaqësuesja e koshit është vendosur në grupin E eleminator së bashku me Belgjikën, Poloninë, Finlandën dhe Zvicrën, ndërsa ndeshja e parë është përcaktuar të luhet në Tiranë ndaj Zvicrës më 15 gusht, për të vazhduar më 18 gusht në Finlandë dhe me radhë ndeshjet e tjera për të përfunduar më 11 shtator ndaj Belgjikës në Tiranë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›