E Diel, 1 Nëntor 2026

Kopjet në testin e letërsisë, provimi i matematikës me 7 teza të ndryshme

Provimi i matematikës për të gjithë maturantët në vendin tonë zhvillohet më datë 11 qershor 2009. Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka bërë të ditur se, teza e këtij provimi nuk do të jetë më e njëjtë për të gjithë maturantët. Agjencia e Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve (AVA) ka bërë të ditur se do të jenë rreth 7 variante testesh, që do të shpërndahen në ditën e provimit në të gjitha rrethet. Këto masa do të ndërmerren nga MASH si rezultat i shkeljeve dhe abuzimeve të shumta që u vunë re në provimin e letërsisë. Ku u konstatua hapurazi se maturantët arritën të kopjonin në masë pasi testi ishte i njejtë për të gjithë nxënësit në të gjithë vendin. Ndërkohë që përmbajtja e pyetjeve do të klasifikohet në varësi të profilit të shkollës së mesme që nxënësi ka kryer. Ndërkaq, është parashikuar që 60 për qind e tezës së provimit do të jetë nga temat tashmë të shpërndara në programet orientuese për lëndët e provimit. Për vitin 2009 është bërë e ditur se janë regjistruar rreth 40 mijë aplikime të regjistruara për dhënien e provimeve të detyruara. Profili i shkollës së mesme do të specifikojë dhe llojin e testit që maturanti do të plotësojë në ditën e provimit. Po në varësi të profilit është detajuar dhe shkalla e vështirësisë së pyetjeve. Bazuar në skemën hartuese për çdo linjë të përmbajtjes, do të përfshihen kërkesat e tri niveleve të vështirësisë, duke filluar prej nivelit minimal.  
Testet do të përmbajnë dy lloje pyetjesh  
Pyetjet e testit të provimit të matematikës për maturantët do të jenë dy llojesh. Pyetjet e grupit të parë do të jenë me zgjedhje të shumëfishtë. Ndërsa pyetjet e grupit të dytë do të jenë me shtjellim të argumentuar. Me mbylljen e këtij provimi, rregullorja për 2009-n përcakton se kanë të drejtë të kandidojnë për të vazhduar studimet në institucionet e arsimit të lartë publik vetëm nxënësit që vlerësohen kalues në të katër provimet e Maturës Shtetërore (dy provimet e detyruara dhe dy provimet me zgjedhje). Nëse një nxënës ka vlerësim kalues vetëm në njërin nga provimet e detyruara të Maturës Shtetërore, rezultati i tij ruhet (konsiderohet i vlefshëm) edhe në vitet në vazhdim. Nxënësi që është mbetës, qoftë edhe në një nga provimet e detyruara të Maturës Shtetërore në sesionin e parë, nuk ka të drejtë të futet në provimet me zgjedhje. Pas zhvillimit të dy provimeve të detyruara fillon periudha e përgatitjes përfundimtare për studimet e larta. Fillimisht maturantët duhet të njihen me rezultatet e dy provimeve të dhëna, të krijojnë vetë një ide se sa pikë mund të mbledhin dhe vetëm më pas të bëjnë renditjen e degëve se ku duan të studiojnë. Megjithatë, maturantët që kanë hyrë në provimet e këtij viti me rezultate të mbartura nga vitet e shkuara duhet të dinë se në procesin e llogaritjes do të merren parasysh koeficientet e vjetër. Kështu, nëse nxënësi kërkon ti ruhet rezultati i mëparshëm në përllogaritjen e pikëve për sistemin meritëpreferencë për këtë lëndë merret koeficienti që lënda ka pasur në vitin që është dhënë. Në rast se nxënësi e ka dhënë më shumë se një herë një lëndë të caktuar në provimet me zgjedhje dhe kërkon ti njihet rezultati i saj, do ti njihet rezultati i arritur në vitin e fundit kur e ka dhënë lëndën.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›