E Diel, 1 Nëntor 2026

Integrimi, Biberaj: Shqipëria në BE, varet nga suksesi i reformave

Zëvendëskryetari i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (KE), Aleksandër Biberaj ka deklaruar se vullneti i Europës, është që Shqipëria të jetë pjesë e BE-së, por kjo varet edhe nga reformat dhe suksesi i tyre.

Gjatë një interviste për agjensinë e lajmeve INA ai theksoi se në Shqipëri po kryhen reforma të suksesshme me qëllim që vendi sa më shpejt të jetë pjesë edhe e Bashkimit Evropian.

“Vullneti i Europës, është që Shqipëria të jetë pjesë e Bashkimit Europian, por kjo varet edhe nga reformat dhe suksesi i tyre në Shqipëri”, theksoi deputeti Biberaj.

Zëvendëspresidenti i AP të Këshillit të Evropës, Aleksandër Biberaj deklaroi se në Shqipëri duhet të hapen sa më shpejt dosjet.

“Politika shqiptare, pa harxhuar më as kohë dhe as energji duhet ta hapë këtë proces me qëllim që edhe ta mbyllë një herë e mirë, se për ndryshe Shqipëria do t'a ketë shumë të vështirë të ecë të përpara”, deklaroi deputeti Biberaj.

Sipas tij, duhet bërë më shumë në planin e procesit të njohjeve të Kosovës.

“Sa i përket procesit të njohjeve duhet bërë më shumë që Konferenca Islamike të përshpejtojë njohjen e Kosovës, pasi që janë më shumë se 50 vende anëtare në këtë konferencë.Njohja e Kosovës deri tani nga 52 shtete është pozitive, është një ritëm normal njohjesh”, deklaroi zv/presidenti i AP të Këshillit të Evropës.

Lidhur me kontestin e emrit midis Athinës dhe Shkupit, që paraqet pengesë për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO, deputeti Biberaj theksoi se sa më shpejtë të dyja palët duhet të gjejnë një zgjidhje të pranueshme nga të dyja palët.

“Ne kemi diskutuar këto ditë edhe këtu në Kombet e Bashkuara në Nju Jork çështjen e emrit të Maqedonisë dhe kemi shprehur urimin tonë që zgjidhja të gjendet sa më shpejt, pasi për Maqedoninë deri tani nuk ka asnjë pengesë përveç çështjes së emrit”, theksoi zëvendëspresidenti i Asamblesë Parlamentare të KE-së, Aleksandër Biberaj.

(Beqir Sina/INA)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›