Jeremic: Mos e njihni Kosovën

Shefi i diplomacisë serbe, Vuk Jeremic, u ka dërguar letër ministrave të jashtëm të shteteve që ende nuk kanë njohur pavarësinë e Kosovës me kërkesën që të mos e ndryshojnë këtë qëndrim deri në vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë.
Ministri serb i Punëve të Jashtme ka shkruar se është hera e parë që GJND shqyrton ligjshmërinë e përpjekjes së njëanshme të një pakice etnike për t’u shkëputur nga një shtet anëtar i OKB’së, në kundërshtim me kushtetutën e tij.
“Përfundimet e gjykatës do të prodhojnë një precedent të fuqishëm me pasoja të gjera për tërë bashkësinë ndërkombëtare”, thuhet në letrën e Jeremic, e publikuar në mediat serbe.
Sipas Jeremicit, GJND do të duhej të punojë “e papenguar nga presionet politike siç janë njohjet e reja për pavarësinë e njëanshme të Kosovës”.
Diplomacia serbe ka shpresuar që procesi në GJND, jo vetëm që do të ngadalësojë njohjet për pavarësinë e Kosovës, por do t’i bllokojë tërësisht. Megjithatë, pas çdo faze të procesit në Hagë ka pasur njohje të Kosovës, siç është njohja e fundit nga Malavi.