E Diel, 1 Nëntor 2026

Jeremiç: Nuk ka status për Serbinë pa njohje të pavarsisë së Kosovës

“Serbia nuk mund të futet në BE pa njohjen formale të pavarësisë së Kosovës”. Kështu ka deklaruar në një dalje të tij për mediat ministri i Jashtëm serb, Vuk Jeremiç.Më tej ai ka theksuar se një fakt i tillë është konfirmuar nga 4 ministra të Jashtëm të BE-së, të cilët janë shprehur se nuk do të ketë futje të Serbisë në BE pa njohjen formale të pavarësisë së Kosovës.

Jeremiç në debatin “Serbia dhe BE”, tha se tani askush në qendrat e fuqishme me ndikim nuk ka menduar për asnjë mundësi tjetër për Kosovën, përveçse Serbia ta pranojë planin e Ahtisaarit dhe në fund të njohë pavarësinë e Kosovës, në kuptimin e plotë formal të kësaj fjale.

Më tej, ai tha se Serbia në dhjetor nuk mundi të fitojë statusin e kandidatit për në BE pa hequr dorë në mënyrë përfundimtare nga Rezoluta 1244. "Kemi treguar fleksibilitet të madh dhe gatishmëri që të gjendet zgjidhje nëpërmjet dialogut me Prishtinën, mirëpo nuk mundemi ta përmbushim këtë lloj kërkese”, tha Jeremiç.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›