E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosovë, Kodi i ri Penal parashikon zbatimin e masës “burg përjetë”

Shumë shpejt në Kosovë ekziston mundësia e zbatimit të vendimit me burgim të përjetshëm, për vepra penale që përbëjnë shkallë të lartë të rrezikshmërisë për shoqërinë.

52 deputetë të Kuvendit të Kosovës kanë dhënë votën e tyre pro, në shqyrtimin e parë të projekt-ligjit për Kodin Penal të Kosovës, ku parashikohet edhe dënimi maksimal, ndërsa 8 deputetë ishin kundër dhe vetëm 1 abstenoj.

Zëvëndëskryeministri Bujar Bukoshi, ka bërë prezantimin e shkurtër para deputetëve të këtij projekt-ligji, që sipas tij do të eleminojë disa zbarzëtira që kanë ekzistuar më parë, ndërsa partitë politike kanë dhënë edhe opinionet e tyre në mënyrë që ato të përfshihen në variantin përfundimtar.

Ndërkaq dy partitë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë dhënë votën e tyre pro, ndërsa, Lëvizja Vetëvendosje, deputetët e së cilës votuan kundër kanë bërë disa vërejtje rreth emërtimit “thirrje për rezistencë”.

Projekt-ligji për Kodin Penal përmban 35 kapituj dhe më shumë se 400 nene, dhe përbën njërin nga ligjet bazë në sistemin juridik të Kosovës.

Tashmë i mbetet Komisionit përkatës të Kuvendit që të bëjë rekomandimet e nevojshme dhe t`i sjellë ato për miratim përfundimtar, dhe për t`u zbatuar më pas dënimi maksimal, siç është, burgimi i përjetshëm, që nuk ka ekzistuar kurrë më parë në Kosovë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›