E Diel, 1 Nëntor 2026

Bajrami ne Kosove Ternava Politika jo fyerje Islamit

Besimtarët myslimanë në gjithë Kosovë kanë nisur kremtimet e festës së Fitër Bajramit duke uruar njëri-tjetrin për më shumë paqe, tolerancë, mirëkuptim dhe solidaritet. Manifestimi qendror i faljes së Bajramit u mbajt në Xhaminë e Madhe të Prishtinë nën drejtimin e myftiut të Kosovës, Naim Tërnava, i cili u bëri thirrje të gjithë besimtarëve për kultivimin e tolerancës dhe dashurisë ndër-njerëzore.

Para mijëra besimtarëve të mbledhur për faljen e namazit, Tërnava ka kritikuar ashpër si asnjëherë më parë institucionet e Kosovës të cilat, sipas tij, në vazhdimësi po injorojnë  kërkesat e Bashkësisë Islame të Kosovës, sikurse që ishte votimi i djeshëm në Kuvendin e Kosovës kundër përfshirjes së lëndës së mësim-besimit në institucionet shkollore.

“Nuk është pronë e askujt që islami të fyhet në raport me atë se a do të hyjë apo jo lënda fetare në shkolla. E drejtë e çdo deputeti është që të votojë ligjin apo jo, të votoj nenet apo jo. Është e drejtë e tij. Ama nuk është e drejtë e askujt që të fyejnë identitetin islam, ndjenjën islame te myslimanët. Kjo ka ndodhur dje te disa parlamentar të Kosovës. Unë i thërras parlamentarët për vetëdijesim”- tha Tërnava.

Tërrnava tha se Bashkësia Islame nuk do të jetë spektatore pasive dhe të shikojë se kush më tepër po fyen ndjenjat e besimtarëve mysliman të Kosovës.

 “Unë jam njeriu i zgjedhur nga ju, përfaqësoj myslimanët e Kosovës, shqiptarët, boshnjakët, turqit, romët. Sikur unë të mos reagojë kur të fyhen ndjenjat islame atëherë unë nuk meritoj të jem këtu ku jam”- tha Tërnava.

Myftiu Tërrnava i ka bërë thirrje edhe njëherë Komunës së Prishtinës që ta marrë në konsideratë kërkesën për caktimin e vendit për ndërtimin e Xhamisë së Madhe në qendër, dhe jo në vendet ku nuk plotësohen as kërkesat minimale, siç është ai i caktuar para dy ditësh nga komuna e Prishtinës, por që u refuzua me forcë nga Bashkësia Islame.

Sala Mustafa
Azhornuar së fundi ( e martë , 30 gusht 2011 )

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›