E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jeremiç: “Plani i Ahtisari është ‘varrosur’ nga KS-ja”



Ministri i Jashtëm i Serbisë, Vuk Jeremiç, ka përjashtuar çfarëdo mundësie të ndarjes së Kosovës. Ai ka deklaruar për Televizionin e Serbisë se EULEX-i do të vendoset në Kosovë me kushtet që i ka përcaktuar qartazi Serbia dhe që janë mbështetur nga Këshilli i Sigurimit. Jeremiç është shprehur se “Bashkimi Europian edhe formalisht ka deklaruar në Këshillin e Sigurimit se aktivitetin e saj në Kosovë ta zhvillojë nën ombrellën e Kombeve të Bashkuara duke respektuar Rezolutën 12 44”. Sipas ministrit të Jashtëm serb, plani i Ahtisarit është varrosur në Këshillin e Sigurimit dhe tani ekziston plani i Ban Ki Munit, i cili nuk prek sovranitetin dhe integritetin territorial të Serbisë.

SHBA
Obama emëron Riçardsonin sekretar të Tregtisë
Presidenti i zgjedhur amerikan, Barak Obama, ka nominuar guvernatorin e Meksikos së Re, Bill Riçardson, sekretar të Tregtisë. Kjo zgjedhje u bë zyrtare në një konferencë për gazetarë gjatë ditës së djeshme në Çikago. Riçardson ka qenë sekretar i Energjisë dhe ambasador në Kombet e Bashkuara gjatë administratës së ish-presidentit Bill Klinton. Ai është një prej politikanëve më të njohur në Shtetet e Bashkuara. Administrata e presidentit të sapozgjedhur Barak Obama do të fillojë punë më 20 janar të vitit të ardhshëm.

RUSI
Medvedev paralajmëron reforma në sistemin gjyqësor
Presidenti i Rusisë, Dimitri Medvedev, ka paralajmëruar një reformim të sistemit juridik në vend. “Gjykatës ruse, në krahasim me Gjykatën e Lartë Europiane për të Drejtat e Njeriut, i mungon besimi në popull”, - tha Medvedev në kongresin e gjyqtarëve në Moskë. Ligjet që ekzistojnë për gjykatat e pavarura duhet megjithatë të vihen në jetë, theksoi shefi i Kremlinit. Ai kërkoi po ashtu më shumë transparencë për dënimet dhe mundësi për shqyrtimin e akteve. “Shumë gjyqtarë paguhen nën mesataren dhe janë nën presion”, - kritikoi ai.

PAKISTAN
Rajs bën thirrje për bashkëpunim
Sekretarja amerikane e Shtetit, Kondoleza Rajs, i ka bërë thirrje Pakistanit që të bashkëpunojë urgjentisht për hetimin e sulmeve militante në Bombej javën e kaluar. Rajs e bëri këtë deklaratë në Dehli ku ajo u takua me udhëheqësit indianë. Shtetet e Bashkuara po përpiqen që të ulin tensionet e shkaktuara nga akuzat e Indisë se sulmuesit në Bombej kishin lidhje me Pakistanin. Në një konferencë për shtyp Sekretarja amerikane e Shtetit, Kondoleza Rajs, tha se nevojitej një mbrojtje e bashkuar kundër terrorizmit.

TAJLANDË
Përfundon bllokimi i aeroporteve, priten protesta
Pas protestave që zgjatën më shumë se një javë, në Aeroportin e Bangkokut është kthyer normaliteti. Protestuesit ishin simpatizantë të Aleancës Popullore për Demokraci, PAD, pasi të martën Gjykata Kushtetuese vendosi për ndalimin e partisë qeveritare PPP, që u përcoll me festime të shumta të Aleancës Popullore për Demokraci. Më shumë se 100 ditë simpatizantët bllokuan godinat qeveritare e më vonë edhe aeroportet në Bangkok dhe kanë kërkuar dorëheqjen e qeverisë. Dyshohet se protestat kanë përfunduar vetëm përkohësisht

4 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›