Zyrtare, yjet Ronaldinjo e Shevçenko në Tiranë
Jetmir Halilaj
Ronaldinjo dhe Shevçenko do të vijnë në Tiranë. Lajmi është konfirmuar zyrtarisht nga klubi i Milanit, por edhe nga kompania “Taçi Oil”, që është edhe organizatorja e ndeshjes miqësore Tirana-Milan, e cila do të zhvillohet në stadiumin “Qemal Stafa” më 14 tetor. Dje klubi italian ka bërë të ditur emrat e lojtarëve që do të marrin pjesë në ndeshjet miqësore që kuqezinjtë do të zhvillojnë gjatë ndërprerjes së kampionatit, për shkak të ndeshjeve kombëtare. Shumë futbollistë të njohur të klubit me më shumë tituj në botë do të vijnë në Shqipëri, për takimin kundër bardhebluve të Tiranës. Përveç yllit brazilian, Ronaldinjo dhe bomberit ukrainas, Andrij Shevçenko, në Tiranë do të vijnë edhe Paolo Maldini, Andrea Pirlo, Filipo Inzagi, Klarens Sedorf, Masimo Ambrozini, Alesandro Nesta, Marko Borielo dhe shumë lojtarë të tjerë të ekipit të parë të kuqezinjve. Bashkë me ekipin do të vijnë edhe zëvendës presidenti i Milanit Adriano Galiani dhe ish-kapiteni legjendar i Milanit, Franko Barezi. Ky i fundit është aktualisht trajneri i skuadrës së të rinjve të Milanit. Yjet që do t’i mungojnë mbrëmjes ku do të luhet trofeu “Taci Oil Albania Reads” do t’i mungojnë Kaka, Pato (Brazil) dhe Gatuzo, Zambrota, Bonera (Itali), Jankulovski (Çeki) dhe Kalac (Australi). Skuadra e Milanit do të zbarkojë në Tiranë rreth orës 14.00 në aeroportin “Nënë Tereza” dhe më pas do të akomodohet në hotel Sheraton. Pas deklaratave për shtyp dhe një kokteji të organizuar nga kompania “Taçi Oil”, kuqezinjtë do të fillojnë përgatitjet për ndeshjen që do të luhet në stadiumin “Qemal Stafa” në orën 19.00. Pas ndeshjes skuadra dhe trajneri i saj, Karlo Ançeloti do të nisen menjëherë drejt aeroportit ku do t’i presë avioni çarter, me të cilin do të udhëtojnë në mbrëmje drejt Milanos. Ndërkohë, disa përfaqësues të lartë të klubit kuqezi, përfshi dhe ish-kapitenin Franko Barezi do të qëndrojnë në Tiranë dhe pas ndeshjes do të jenë pjesë e ankandit të shitjes së fanellave të lojtarëve të Milanit, me dedikimet e tyre. Të ardhurat nga shitjet e këtyre fanellave do të jepen për bamirësi. Gjyqtarët e kësaj ndeshjeje do të jenë një treshe arbitrash shqiptarë dhe Federata Shqiptare e Futbollit pritet të zgjedhë sot mes kryesorëve Janku dhe Jareci për këtë ndeshje. “Gjatë kohës që do të luajnë Kombëtaret, skuadra e Milanit do të zhvillojë disa ndeshje testuese dhe ndoshta ajo më e rëndësishmja është kundër Tiranës së Shqipërisë. Këto takime shpresoj që t’i shërbejnë skuadrës që të arrijë formën e saj më të mirë”, ka thënë trajneri i Milanit, Karlo Ançeloti.
Lista
Portierë: Dida, Abiati; Mbrojtës: Maldini, Favali, Nesta, Senderos, Kaladze, Darmian, Antonini; Mesfushorë: Pirlo, Seedorf, Ambrozini, Flamini, Osui, Kardaço, Viudez; Sulmues: Shevçenko, Ronaldinjo, Inzagi, Borielo.