E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jeremic: S’ka vend për Kosovën në iniciativat rajonale

BEOGRAD- Ministri i Jashtëm i Serbisë, Vuk Jeremic deklaroi sot se Kosova po përpiqet të bëhet anëtare e njërës nga tri iniciativat rajonale të cilat i kryeson Serbia, por pa sukses pasi Kosova nuk është shtet.

“Për Kosovën në këto organizata nuk ka vend, meqë në to janë vetëm shtetet sovrane të pavarura”,- është shprehur Jeremic.

Mediat vendase bëjnë me dije se këto deklarata Jeremic i bëri në mbledhjen që po mbahet në Beograd për Iniciativën e Adriatikut dhe Jonit

Kur bëhet fjalë për mbledhje rajonale, Jeremic ka theksuar se Serbia nuk dëshiron që përfaqësuesit e Prishtinës të përjashtohen nga pjesëmarrja, por ajo nuk pranon anëtarësimin e tyre jashtë kornizave të  UNMIK-ut dhe të Rezolutës 1244.

“Nuk mund të flasim as për anëtarësim, as për format pjesëmarrjeje që do të ishte jashtë kornizës të UNMIK-ut dhe të Rezolutës 1244, e cila përkufizon qartë mënyrën me të cilën eventualisht do t’u lejohej përfaqësuesve të Prishtinës të marrin pjesë në ato mbledhje”, mësohet të ketë thënë Jeremic.

Ministri i Jashtëm i Serbisë përmendi mbledhjen e Luksemburgut që u mbajt të hënën ku ministrat e Jashtëm të Evropës u takuan me ministrat e Jashtëm të shteteve të Ballkanit Perëndimor. Përfaqësuesit e Prishtinës aty merrnin pjesë, por në kuadër të parametrave të përkufizuar qartë, të shoqëruar nga UNMIK-u.
(e.m/tg/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›