E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jeremiç dorëzon planin për Kosovën në OKB

Ministri i Jashtëm serb, Vuk Jeremiç, ka dorëzuar dje në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara një projekt-plan për Kosovën, pas miratimit së të cilit do ta çojë çështjen e shpalljes dhe 

njohjes së pavarësisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Jeremiç u nis një ditë më parë në Nju Jork për të dorëzuar propozimin zyrtar të Serbisë për nxjerrjen e një rezolute, sipas procedurës së Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Sipas Ministrisë së Jashtme serbe, “Angazhimi i Jeremiçit është pjesë e përpjekjeve të gjëra të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Serbisë, për të bllokuar njohjen e Kosovës nga shtete të tjera dhe për të penguar anëtarësimin e saj në organizatat ndërkombëtare”. Kërkesa e Serbisë mund të shqyrtohet në mbledhjen vjetore të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në muajin shtator, por vetëm nëse ajo arrin të mbledhë votat e afro 100 vendeve anëtare të organizatës botërore. Sipas analistëve në Kosovë, Serbia do ta ketë shumë të vështirë të fitojë përkrahjen e 96 vendeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB për të çuar në Hagë pavarësinë e Kosovës, por ky proces i nisur nga Jeremiç do të ndikojë në ngadalësimin e procesit të njohjes së pavarësisë. Edhe pse ministri i Jashtëm i Kosovës, Skënder Hyseni, deklaroi se në shtator pritet një valë e re njohjeje e pavarësisë, analistët shprehën shqetësimin se kjo nuk do të ndodhë nëse kërkesa e Serbisë merret parasysh. Ata nuk e përjashtojnë mundësinë që kjo nismë e saj të ndikojë dukshëm në ngadalësimin e procesit të njohjes së Kosovës. Sipas RTK, analisti Lulëzim Peçi thotë se, ndikimi më i madh do të bëhet tek ato shtete që i frikësohen qëndrueshmërisë së integritetit territorial të tyre. Ndërsa analisti Behlul Beqaj shprehet se, pavarësisht nëse kjo projektrezolutë do të kalojë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së apo jo, kjo nismë do të ngadalësojë procesin e njohjes së Kosovës në botë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›