E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sakashvili nënshkruan marrëveshjen

Konflikti në Gjeorgji duket se nuk po merr fund me gjithë nënshkrimin e planit të paqes nga të dyja palët, pasi trupat ruse nuk janë tërhequr ende nga territori gjeorgjian. 

Kjo ka nxitur shqetësimin e gjithë diplomacisë perëndimore për brishtësinë e rajonit të Kaukazit, ku nga çasti në çast çdo provokim i vogël mund të kthejë dhunën masive. Presidenti amerikan Xhorxh Bush, Kancelarja gjermane Anxhela Merkel dhe Sekretarja amerikane e Shtetit, Kondoliza Rajs, po vazhdojnë përpjekjet diplomatike për zgjidhjen përfundimtare të konfliktit. Ndërsa Bush bëri dje një tjetër thirrje drejtuar Rusisë, që të respektojë premtimin saj dhe të tërheqë trupat nga territori gjeorgjian, sekretarja amerikane e shtetit, Rajs mbërriti në Tbilisi pas Francës për të siguruar mbështetjen e fortë amerikane për Gjeorgjinë properëndimore. “Do të zhvilloj bisedime me Presidentin Sakashvili, përsa u përket qartësimeve që u siguruan nga pala franceze dhe më pas do të përpiqemi ta zyrtarizojmë këtë armëpushim, se qëllimi është arritja e tij dhe tërheqja e forcave ruse sa më shpejt të jetë mundur”, deklaroi Rajs sapo mbërriti në Tbilisi. Presidenti gjeorgjian, Mikhail Sakashvili e nënshkroi dje marrëveshjen e armëpushimit me Rusinë, e cila mbron interesat e ish-republikës sovjetike. Akuzat e Sakashvilit janë drejtuar nga Moska, por edhe perëndimi, pasi sipas tij “Perëndimi ka ftuar agresionin rus”. Në një intervistë për gazetën e përditshme ruse “Kommersant”, Presidenti gjeorgjian, Mikhail Sakashvili tha se Gjeorgjia nuk do të pranojë asnjë marrëveshje me Rusinë, përveç asaj të tërheqjes së trupave ruse. Sipas Sakashvilit, Rusia ishte e përgatitur me kohë për sulmin kundër Gjeorgjisë. Ndërkohë qytetet e bombarduara gjeorgjiane janë bërë pre e dhunës dhe plaçkitjes. Vendi është në kaos, ndërsa Organizata e Kombeve të Bashkuara ngriti alarmin për krizën humanitare. Rreth 180 mijë njerëz janë larguar nga vendi, si pasojë e frikës së përshkallëzimit të konfliktit me Rusinë. Tashmë Gjeorgjia këmbëngul që bisedimet për gjetjen e një zgjidhjeje në konfliktin e Kaukazit të zhvillohen nën mbikëqyrjen e Kombeve të Bashkuara. Nga ana tjetër, Kancelarja gjermane Angela Merkel shkoi dje në Soçi, në Detin e Zi, për të biseduar me Presidentin rus Dimitri Medvedev mbi konfliktin në Gjeorgji. Pas takimit kokë më kokë, të dy liderët dolën në një konferencë të përbashkët për shtyp, ku secili shprehu pikëpamjet e veta mbi konfliktin.
Deklarata e Merkel
Kancelarja Merkel deklaroi përkrah Presidentit rus, se disa nga veprimet ushtarake ruse kundër Gjeorgjisë ishin “të panevojshme”. “Trupat ruse duhet të tërhiqen nga krahinat qendrore në Gjeorgji dhe zgjidhja e këtij konflikti duhet të respektojë integritetin territorial të shtetit të Gjeorgjisë”, tha Merkel. Kancelarja gjermane theksoi se nuk nevojitet të ndryshohet qëndrimi ndaj anëtarësimit të Gjeorgjisë dhe Ukrainës në NATO, siç u ra dakord nga aleanca për mbrojtje gjatë samitit të prillit. “Gjeorgjia dhe Ukraina mund të bëhen anëtare të NATO-s në një kohë ende të papërcaktuar dhe kemi thënë se ato mund të bëhen anëtare nëse ato e duan këtë gjë. Do vazhdojmë të mbajmë këtë qëndrim”, deklaroi ajo.
Deklarata e Medvedev
Presidenti rus, Dimitri Medvedev, paralajmëroi se Rusia do të reagonte njëlloj si në Osetinë e Jugut në rast se qytetarë të saj sulmohen sërish. Ai tha se: “Për fat të keq, pas asaj që ndodhi ka pak gjasa që banorët e Osetisë së Jugut dhe të Abkhazisë të jenë në gjendje të jetojnë së bashku me gjeorgjianët”. Medvedev shtoi se paqeruajtësit rusë do të garantonin “vullnetin e popullit” të dy rajoneve. Ndërkohë, Medvedev sqaroi se Rusia nuk kërkon përkeqësim të marrëdhënieve me perëndimorët pas krizës në Gjeorgji.
Acarim për mbrojtjen raketore
Dje në Poloni u nënshkrua marrëveshja për mbrojtjen raketore në Poloni. Shtëpia e Bardhë e ka mirëpritur nënshkrimin e marrëveshjes. “Ne mirëpresim këtë zhvillim. Besojmë se mbrojtja raketore është kontribut substancial për sigurinë kolektive të NATO-s”, tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Dana Perino.  Ministri i Jashtëm i Rusisë Sergei Lavrov, e ka anuluar vizitën e planifikuar në Poloni. Ai e ka bërë këtë vetëm disa orë pas arritjes së marrëveshjes. Tensionet ndërmjet Polonisë dhe Rusisë janë shtuar, për shkak të kundërshtimit rus për sistemin amerikan. Zëvendësshefi i Shtabit të Përgjithshëm të armatës ruse, gjeneral koloneli Anatoli Nogovitsin ka thënë se, Polonia rrezikon të bëhet shënjestër e Rusisë, nëse në territorin e saj vendosen interceptorët raketorë amerikanë. Ai ka thënë se vendosja e interceptorëve në Poloni “nuk mund të mbetet pa u ndëshkuar”.

Bush: Moska të tërhiqet nga politika e kërcënimeve

Presidenti amerikan Xhorxh Bush, ka paralajmëruar dje Rusinë  kundër “detyrimeve dhe kërcënimeve” të fqinjëve të saj dhe theksoi se, Uashingtoni nuk do ta tërheqë mbështetjen e tij për aleaten Gjeorgji. Bush i ka bërë thirrje Rusisë të përmbushë angazhimin e saj për tërheqjen e trupave nga Gjeorgjia dhe të ndikojë në bashkëpunimin me fqinjët e saj, në vend që të nxisë përballjet e stilit të Luftës së Ftohtë. “Moska duhet të respektojë premtimin e saj për tërheqjen e trupave nga territori gjeorgjian”, tha Bush i vendosur, nga Shtëpia e Bardhë. “Detyrimi dhe kërcënimi nuk janë mënyra të pranueshme të politikës së jashtme në shekullin XXI”, tha ai duke shtuar se Rusia ka dëmtuar kredibilitetin e saj në Perëndim, duke pushtuar fqinjin e saj. “Vetëm Rusia mund të zgjedhë nëse do të pozicionohet në udhën e kombeve të përgjegjshme apo të vazhdojë politikën e saj të përballjeve dhe kërcënimeve”, tha Bush. Ai theksoi përkrahjen për Gjeorgjinë dhe territorin e saj. “Sovraniteti dhe integriteti territorial i Gjeorgjisë duhet të respektohen. Ne shpresojmë që zyrtarët rusë të pranojnë se një e ardhme bashkëpunimi dhe paqeje do të jetë në të mirë të gjithë palëve. Lufta e Ftohtë ka përfunduar. Ditët e vendeve satelite dhe sferave të ndikimit janë prapa nesh”, tha ai. Por shtoi gjithashtu se, “Një marrëdhënie konfliktuale me Rusinë nuk është në interes të SHBA-së”.
   

Akuzat e “Human Rights Watch”
Sipas organizatës humanitare ndërkombëtare “Human Rights Watch”,   Rusia ka shfrytëzuar bomba thërrmuese gjatë operacionit në Gjeorgji mbi qytetet gjeorgjiane Gori dhe Ruisi. “Rusia nuk duhej t’i përdorte ato dhe tani duhet të ndihmojë për pastrimin e tyre që të shmangen raste të reja të vdekjes”, citon HRË duke deklaruar se kanë gjetur edhe videon e një sulmi ajror. Në konferencën ndërkombëtare në maj 2008, 107 vende ranë dakord ta ndalojnë përdorimin e bombave thërrmuese. Në negociata nuk mori pjesë as Rusia, as Gjeorgjia.

Pentagoni do të rishikojë marrëdhëniet me Rusinë  
Sekretari amerikan i Mbrojtjes Robert Gejts tha dje se: “Pentagoni do t’i rishikojë raportet me Rusinë, pas operacioneve ruse në Gjeorgji”. Sipas Gejts, “sjellja ruse gjatë javës së fundit ka pasoja të thella për marrëdhëniet e sigurisë mes dy vendeve tona dhe me NATO-n. Personeli ushtarak amerikan në Gjeorgji do përfshihet në misione humanitare dhe nuk ka nevojë që Shtetet e Bashkuara të përdorin forcën gjatë këtij konflikti”, ka pohuar Gejts.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›