E Diel, 1 Nëntor 2026

Jeremiç sulmon Piter Feithin

Gjithashtu, Jeremiç komentoi edhe paralajmërimin e Zyrës Civile Ndërkombëtare për zbatimin e strategjisë për integrimin e pjesës veriore të Kosovës.Sa i përket ndalimit dhe dëbimit të zyrtarëve serbë nga Kosova, shefi i diplomacisë serbe e konsideron atë si “shenjë të rritjes së nervozizmit në Prishtinë”, në një moment kur po afrohet koha që Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë të marrë vendimin lidhur me vlefshmërinë e shpalljes së pavarësisë nga ana e Kosovës. “Ajo që mund të bëjmë ne në planin diplomatik, është të protestojmë në mënyrë të ashpër të faktori ndërkombëtar përkatës sa here që shkelet Rezoluta 1244 dhe vihen në dyshim vlerat bazë civile, sikurse është e tillë liria e lëvizjes”, thotë Jeremiç. Pyetjes së gazetës “Politika”, nëse mbas planit të Piter Feithit për integrimin e pjesës veriore të Kosovës qëndron Bashkimi Evropian (BE) dhe nëse Serbia duhet t’i kërkojë BE-së shpjegime lidhur me këtë, ministri i Jashtëm i Serbisë i dha një përgjigje, duke i bërë kësaj çështjeje një interpretim të vetin: “BE-ja ka përdorur një formulim të tillë që tregon se ajo nuk e përkrah këtë plan”. Duke qenë se BE-ja është shprehur kështu, mendoj se nuk ekziston ndonjë rrezik nga ndonjë përpjekje për zbatimin e këtij plani, pasi mbrapa tij nuk qëndron KFOR-i. Në këtë drejtim pati rëndësinë e vetë mënyra e vendosur, më të cilën ne vepruam pranë instancave më të larta, sikurse bëri Presidenti Boris Tadiç në Këshillin e Sigurimit (KS) të OKB-së. Ne do ta vazhdojmë bashkëpunimin e ngushtë me organizatat ndërkombëtare që operojnë në krahinën e Kosovës në përputhje me vendimet e KS-së, por Zyra Civile Ndërkombëtare nuk është njëra prej tyre”, tha ai. Pyetjes së drejtpërdrejtë të gazetës serbe të lartpërmendur se si ka mundësi që mbas të dërguarit të posaçëm të BE-se në Kosove nuk qëndron BE-ja, Jeremiç i dha një përgjigje të komplikuar, nga e cila duket qartë se ai i bën një interpretim të tillë kësaj çështjeje që t’i leverdisë politikes serbe: “Ky problem e ka zanafillën e vet qysh në fillim, që me rastin e caktimit të Piter Feithit, në të njëjtën kohë në dy funksione të ndryshme. Njëri është i dërguari i posaçëm i BE-së, kurse tjetri shef i Zyrës Civile Ndërkombëtare në Prishtinë. Njëri është legal, kurse tjetri jo. Ai këtë deklaratë (për nevojën e integrimit të pjesës veriore të Kosovës) e ka dhënë në cilësinë e shefit të Zyrës Civile Ndërkombëtare. Që nga fillimi, kemi thënë se fakti që ai kryen dy funksione në të njëjtën kohë, do të sillte komplikime dhe pikërisht kjo ndodhi”, vuri ne dukje shefi i diplomacisë serbe. Sa i përket thirrjes së fundit të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Mun, që Beogradi dhe Prishtina t’i lënë mënjanë diskutimet për statusin e Kosovës dhe të përqendrohen te bashkëpunimi rajonal, Vuk Jeremiçi vuri ne dukje: “Kjo pjesë e raportit të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-se nuk është interpretuar deri në fund në opinionin tonë publik. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së tha se duhet të kërkohen zgjidhje elastike që të mos ngrijë bashkëpunimi rajonal. Serbia, deri tani, në këtë drejtim ka qenë jashtëzakonisht konstruktive. Ne nuk e pengojmë pjesëmarrjen e institucioneve të përkohshme kosovare në aktivitetet rajonale, por vetëm se pranojmë formatin, i cili është vendosur në vitin 1999, me rastin e miratimit të rezolutës së OKB-së, dhe kjo është që delegacioni nga Prishtina mund të marrë pjesë në to, duke qëndruar ulur mbas tabelës ‘UNMIK-Kosova’, në prani të një përfaqësuesi të OKB-së. Për këtë kemi insistuar dhe do të insistojmë vazhdimisht. Politika e Prishtinës që e refuzon pjesëmarrjen në kushte të tilla, për fat te keq, e çon atë drejt vetizolimit”.                                                                                             

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›