Vizat, BE ekspertë në Shqipëri. Berisha: Do njihen me progresin
TIRANE- Një grup i ri ekspertësh nga Bashkimi Europian pritet të vijnë në Shqipëri për të monitoruar nga afër arritjet që po bën qeveria në kuadër të kërkesës shqiptare për liberalizimin e vizave me vendet europiane. Këtë e bëri të ditur Kryeministri Sali Berisha gjatë mbledhjes së sotme të Komitetit Ndërministror të Integrimit që pati si temë diskutimi liberalizimin e vizave. Në mbledhje, Berisha u shpreh se “ ne presim një grup të ri ekspertësh europianë që vijnë për të inspektuar për tu njohur me progresin e bërë për ta prekur në vend progresin në përmbushje të kushteve për këtë liberalizim”. Duke iu përmbajtur temës, Berisha tha se “liberalizimi i vizave mbetet detyrë prioritare e qeverisë dhe se një progres shumë të madh ka njohur procesi i dokumentave biometrike”. Në këtë pikë kreu i qeverisë kujtoi se “Për pasaportat e vjetra është përcaktuar viti 2011 si viti i fundit i përdorimit të këtyre pasaportave. Për të gjithë ata që aplikojnë për pasaportat e reja, iu zhvleftësohet pasaporta ekzistuese”, u shpreh Berisha. Ai theksoi më tej se janë plotësuar kërkesat për udhërrëfyesin e vizave. Kryeministri Sali Berisha rideklaroi se lëvizja e lirë e qytetarëve shqiptar në BE pa viza, është një detyrë prioritare për të gjitha ministritë. Më pas kryeministri u fokusua tek puna e bërë kundër krimit në vend dhe theksoi se “ka një bashkëpunim të shkëlqyer midis policisë dhe Shërbimit Informativ Shtetëror kundër krimit”. Në mbledhjen e Komitetit Ndërministror, kreu i qeverisë nënvizoi edhe miratimin e ligjit për skafet qe pritet të bëhet brenda këtij muaji në Kuvend. (d.b/BalkanWeb)