Jeremiç, thirrje shteteve afrikane të mos njohin Kosovën
Serbia i bën apel shteteve afrikane të mbështesin përpjekjen e saj për të bllokuar njohjen e pavarësisë së Kosovës.
"Kam ardhur sot këtu që t'ju ftoj t'i mbani parimet tuaja të rezervuara për çështjen e Kosovës", deklaroi ministri i Jashtëm serb, Vuk Jeremiç, në hapje të samitit vjetor të Unionit Afrikan në kryeqytetin e Etiopisë, Adis Abeba.
Jeremiç u tha liderëve afrikanë se pavarësia e Kosovës do të përbënte "kërcënim serioz" për kontinentin e tyre me aq shumë grupe rebele dhe luftëra civile.
"Imagjinoni sa shtete të këtij kontinenti të madh do të prekeshin nga legjitimimi i ndarjes së detyrueshme", tha ministri serb.
"Kufijtë e çdo shteti multietnik do të kërcënoheshin, duke prodhuar jostabilitet në të gjitha pjesët e Afrikës", tha kryediplomati serb, Jeremiç.