Digjet banesa, dy të sëmura të pastreha
BERAT - Shpërthen bombola e gazit, rrezikon të digjet një 67- vjeçare. Ngjarja ndodhi dje rreth orës 13:20 në lagjen “30 vjetori”. Sipas policisë, Vera Veleshnja, 45 vjeçe ka lënë tenxheren në zierje në bombolën e gazit dhe ka zbritur nga kati i tretë e banesës së saj për tek një fqinje. Por ajo është vonuar dhe tenxherja ka marrë flakë, duke provokuar më pas edhe shpërthimin e gazit. Dhoma mori flakë, ndërsa gruaja e moshuar, Arzika Veleshnja nuk mundi të dalë nga banesa. Për fat të mirë, disa banorë të pallatit kanë dëgjuar shpërthimin dhe sinjalizuan menjëherë policinë e zjarrfikëset, të cilët u futën nga dritarja e katit të tretë dhe nxorën gruan. Flakët dogjën një pjesë të mirë të banesës, ndërsa shpërthimi rrezikoi të digjte gjithë pallatin. Sipas banorëve, nënë e bijë janë me probleme mendore. Banorët i bëjnë thirrje organeve vendore të bëjnë të pamundur që t’u gjejnë një strehë apo azil, pasi ato janë të paafta për ta përballuar jetesën të vetme. d.xh