E Shtunë, 31 Tetor 2026

LSI, pakt me sindikatën e 83 mijë pensionistëve

 

Aristir Lumezi

Lëvizja Socialiste për Integrim nënshkroi dje Marrëveshjen e Bashkëpunimit me Sindikatën e Pensionistëve të Shqipërisë. Ilir Meta dhe Isa Gorica kanë firmosur dje kontratën e marrëveshjes mes tyre. Duke përshëndetur këtë bashkëpunim, kryetari i LSI-së Ilir Meta u shpreh se: “Përmes këtij bashkëpunimi ne vendosim si një prioritet shumë të rëndësishëm programor solidaritetin dhe mbështetjen për moshën e tretë dhe pensionistët”. Kryetari i Sindikatës së Pensionistëve, Prof.Isa Gorica, duke vlerësuar LSI-në si forcën e vetme politike që depozitoi një projektligj në Kuvend, që do t’i rikthente dinjitetin pensionistëve të Shqipërisë, tha se: “Ne do të punojmë përkrah Lëvizjes Socialiste për Integrim, që ky grupim i mrekullueshëm politik të fitojë dhe do të bëjmë çmos, sepse ne nuk jemi pak, por rreth 83 mijë anëtarë. Ne do të tërheqim dhe të tjerë me vete dhe mendojmë se do t’ia arrijmë qëllimit që ky grupim politik të fitojë dhe të vijë në pushtet”.
Kreu i LSI premtoi miratim të menjëhershëm pas 28 qershorit të Projektligjit “Për kujdesin ndaj moshës së tretë”, që Lëvizja Socialiste për Integrim, Sindikata e Pensionistëve dhe ekspertë të shoqërisë civile përgatitën dhe dorëzuan në Kuvendin e Shqipërisë, prej gati më shumë se një viti, por që u rrëzua pa asnjë argument nga qeveria e zotit Berisha. “Projektligji që është një detyrim jo vetëm moral, jo vetëm njerëzor, jo vetëm politik dhe kushtetues ndaj pensionistëve dhe moshës së tretë, por edhe një detyrim ndërkombëtar në kuadër të integrimit, pasi Shqipëria ka nënshkruar Konventën e Madridit për Moshimin”, tha Meta. Duke vlerësuar bashkëpunimin, si një prioritet shumë të rëndësishëm programor solidaritetin dhe mbështetjen për moshën e tretë dhe pensionistët, Meta tha se LSI synon jo vetëm miratimin e këtij projektligji, që është mëse realist dhe i domosdoshëm për gati 380 mijë pensionistë, që jetojnë në kushte aspak humane sot, por edhe për të reformuar sistemin e pensioneve”. Nga ana e tij, kryetari i Sindikatës së Pensionistëve vlerësoi grupimin politik të LSI-së. “Grupimi politik që përfaqëson zoti Meta është një grupim politik që ka vizion, por ka dhe veprim. Sepse, largimi nga vizioni çon në gabime, ndërsa vetëm vizioni pa veprim kthehet në ëndërr. Optimalja është vizioni dhe veprimi. Duket se këtu është një arritje e rëndësishme e Lëvizjes Socialiste për Integrim”, tha Gorica. Lidhur me projektligjin e LSI-së, Gorica tha se gjithashtu, do të rregullojë dhe dy çështje të tjera, që kanë të bëjnë me barazimin apo aktualizimin e personave të moshës së kaluar, të atyre që kanë dalë në pension në 30 shtator të vitit 1993 dhe më përpara dhe të atyre që kanë dalë në 1 tetor të 1993 deri në 31 dhjetor të vitit 1996. Këtu janë një numër jo i vogël, rreth 70-75 mijë që marrin shumë pak, me gjithë kontributet shumë të mëdha që kanë dhënë.

Meta viziton rrugën Durrës-Kukës

Kryetari i LSI-së Ilir Meta dhe përfaqësues të lartë të kësaj partie do të vizitojnë sot punimet e rrugës Durrës-Kukës. LSI është e vetmja partie e majtë që viziton punimet në rrugën që do të bashkojë Kosovën me Shqipërinë, edhe pse është thënë disa herë nga përfaqësues të Partisë Socialiste se do ta vizitonte atë. Opozita i është përgjigjur negativisht ftesës së përsëritur të kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli në dy ekskursionet që ka zhvilluar parlamenti shqiptar me deputetët e tij. Vetëm deputetë të partive të djathta kanë vizituar punimet në këtë segment, duke dhënë vlerësime maksimale për punën e bërë nga firma amerikane “Bechtel & Enka”. Por deputetë të veçantë socialistë janë shprehur pro vizitës në këtë rrugë, për të parë nga afër ecurinë e saj, por ende nuk është organizuar një vëzhgim nga afër i saj. Nga ana e saj, maxhoranca ka akuzuar opozitën se nuk dëshiron që rruga Durrës-Kukës të përfundojë. Mësohet se Meta dhe deputetët e LSI-së që do ta shoqërojnë do të shohin punimet e bëra në luginën e lumit Mat, Fan dhe tunelin që do të lidhë Thirrën me Kalimashin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›