E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rritja e çmimit të ujit, ERU: Kusht do të jetë shërbimi

SHKRUAN: Jonida Tashi 16-12-2011 12:42

Avni Dervishi: Vendimi zyrtar do të merret në datën 24 dhjetor. Para se shoqëritë e ujësjellësve të kërkojnë rritje të çmimit, duhet t’u kenë siguruar qytetarëve ujë cilësor, në të kundërt kërkesa e tyre, edhe në rastin e UKT nuk do të merret parasysh

Rritja e çmimit të ujit për vitin 2012 do të përcaktohet mbi bazën e shërbimit që shoqëritë e ujësjellës-kanalizimeve u ofrojnë qytetarëve. Ndërsa 14 nga shoqëritë e ujësjellës-kanalizimeve kanë depozituar pranë Entit Rregullator të Ujit (ERU) propozimet për rritjen e çmimit, ndërkohë që për Lezhën dhe Rrëshenin është marrë vendimi, kërkesat e tyre do të merren parasysh vetëm në rastet kur ato t’i kenë siguruar qytetarëve ujë cilësor. Deklarata është bërë nga kreu i ERU-së, Avni Dervishi, në konferencën e organizuar dje mbi shërbimin ndaj klientit të shoqërive të ujësjellës-kanalizimeve, ku u vu theksi tek përmirësimi i këtij shërbimit. Sipas Entit Rregullator të Ujit, vendimi zyrtar për rritjen e çmimit do të merret në datën 24 dhjetor, ndërkohë që kjo është faza në të cilën po inspektohen shoqëritë e ujësjellës-kanalizimeve në të gjithë vendin. Kreu i ERU-së thekson se para se shoqëritë e ujësjellësve të kërkojnë rritje të çmimit të ujit, duhet t’u kenë siguruar qytetarëve ujë cilësor, në të kundërt kërkesa e tyre, edhe në rastin e UKT nuk do të merret parasysh. “Ne jemi në procesin vendimtar të vendimmarrjes për 14 shoqëritë që kanë aplikuar. Dje (pardje) komisioni kombëtar rregullator ka marrë vendim për dy nga shoqëritë, për Ujësjellës-Kanalizimet Lezhë dhe Rrëshen. Gjithë procesi i miratimit të tarifave të reja për vitin 2012 përfundon diku nga data 24 dhjetor”, - deklaroi kreu i ERU-së. Rritja e tarifave të furnizimit me ujë të pijshëm për kryeqytetin pritet të bëhet publike gjatë javës që vjen. Kreu i Entit Rregullator të Ujit u shpreh se propozimet e Ujësjellës-Kanalizimeve të Tiranës, që çmimi të rritet 22 lekë për metër kub për konsumatorët familjarë janë ambicioze dhe agresive. Ndërkohë që sipas propozimeve të bëra nga Ujësjellës-Kanalizimet Tiranë, rritja e çmimit të ujit do të jetë më e madhe për subjektet që prodhojnë pije alkoolike, freskuese, ujë të ambalazhuar dhe për pishinat, e cila kërkohet të jetë 60 lekë/ m3”. Ashtu si një vit më parë, Ujësjellësi i Tiranës ka përjashtuar nga propozimi për rritjen e çmimit të ujit furrat e bukës, që mbetet i pandryshuar, 95 lekë/ m3. Por, sipas drejtorit të UKT-së, Sahit Dollapi, rritja e çmimit të ujit është e nevojshme lidhur me projektet që kjo ndërmarrje ka për të ardhmen, ku një nga më premtuesit është që “në vitin 2013, qytetarët e Tiranës do mund të heqin depozitat në shtëpitë e tyre, pasi UKT do mundësojë furnizimin me ujë 24 orë”. Sipas një raporti të paraqitur nga ERU dhe 50 shoqëritë e ujësjellësve që operojnë në vend, shfaqen probleme në sistemin e kanalizimeve. Për këtë, ERU ka kërkuar një kontratë model midis shoqërive dhe konsumatorëve. Kjo marrëveshje kërkon që të gjithë qytetarët do të plotësojnë një anketë se në çfarë kushtesh bëhet furnizimi me ujë i shtëpive të tyre.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›