E Shtunë, 31 Tetor 2026

Artet, Berisha: Do të mbështesim talentet

Kryeministri merr pjesë në 45-vjetorin e Akademisë së Arteve: Bashkitë të kthejnë sytë nga studentët e Arteve. Do të ndihmohen financiarisht talentet që nuk mund të paraqesin punët për shkaqe financiare

Pushteti vendor duhet t’u kushtojë vëmendje studentëve Akademisë së Arteve, pasi puna e tyre mund t’u japë jetë qyteteve shqiptare. Ky është apeli që Kryeministri i vendit, Sali Berisha u bëri nga Akademia e Arteve autoriteteve lokale në vend. “U bëj thirrje autoriteteve vendore të vendosin bashkëpunim të ngushtë me Akademinë e Arteve se mund të transformojnë qytetet tuaja. Rastësisht, kryetari i Bashkisë së Tiranës më tregoi disa punë të studentëve, punë për Tiranën, por kjo duhet të ndodhë për të gjitha qytetet. Ne duhet ta bëjmë këtë, pasi me shumë pak përpjekje ne u japim atyre atë që meritojnë, kurse qytetarëve respektin dhe dinjitetin që ata meritojnë nëpërmjet veprave”, - u shpreh kreu i qeverisë në 45-vjetorin e krijimit të Akademisë së Arteve, që tashmë është shndërruar në universitet. Kryeministri e cilësoi artin e studentëve në këtë Akademi, si krenari kombëtare. “Njëlloj si bleta që mbledh nektarin më të mirë, artisti mbledh nektarin më fin për të kuruar shpirtin, identitetin e kombit të vet. Në këto 45 vite, universiteti juaj ka nxjerrë kolosë në të gjitha artet e bukura, pamore, në këto 20 vite edhe pse jo me përkrahjen e duhur, por prapë ia keni dalë të përfaqësoni me dinjitetin më të madh artin, shpirtin e këtij vendi. Keni dalë si krijues të lirë, artistë të lirë, të pasqyroni galerinë, thesaret e mëdha të artit shqiptar”, - tha Kryeministri. Më tej, Berisha theksoi se do të ndihmohen financiarisht talentet që nuk mund të paraqesin dot punët për shkaqe financiare. “Një njeri që s’ka dhe hyn me vështirësi në atë degë, kjo është e dhimbshme. Në qoftë se kjo ndodh tek Artet, kjo është edhe më e dhimbshme, sepse përjashtohet një talent. Ndaj me Ministrinë e Arsimit do mundësojmë financimin e universitetit në mënyrë që talentet të shpalosin artin pavarësisht pamundësisë ekonomike”, - deklaroi Kryeministri. Ndërkaq, ai u kërkoi studentëve të Arteve të kontribuojnë me punët më të mira për 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›