Hipertensioni, 3 në 4 të moshuar janë të sëmurë
Stina e dimrit për shkak të temperaturave të ulëta shton problemet shëndetësore për të sëmurët kardiakë. Për këtë arsye, mjeku kardiolog i Poliklinikës së Specialiteteve Nr.3, Valter Manushi, shprehet se të sëmurët duhet të bëjnë kujdes që të mos të dalin në orët e para të mëngjesit, apo në mbrëmje kur ulen temperaturat. Po kështu, këshillohet që ata të vishen mirë dhe të qëndrojnë në ambiente të ngrohta. Gjithashtu, të sëmurët duhet të bëjnë kujdes me përdorimin e kripës, duhanin dhe kafenë. Sipas të dhënave, në çdo 4 të moshuar, 3 kanë probleme me zemrën dhe hipertensionin. Kardiologët thonë se kohët e fundit janë shtuar rastet me probleme të koronares, trashje e muskulit të zemrës, në moshat e mesme, kur ky ka qenë problem i të moshuarve. Ndaj, ata këshillojnë që në çdo rast, kush ka shqetësime zemre, dhimbje, shpime, rrahje të shpeshta, mpirje të krahut, duhet të drejtohet te mjeku, pasi parandalimi është trajtimi më i mirë i pacientit.