E Diel, 1 Nëntor 2026

Zbardhet krimi i 10 viteve më parë, arrestohet lazaratasi Aliko



Policia: 31-vjeçari dyshohet si autor i vrasjes së Besnik Ibrahimit. Hetimi, ngjarja ndodhi në lagjen “Punëtore”, në aksin rrugor Gjirokastër-Kakavijë

E mbetur për 10 vite pa autor, më në fund policia e Gjirokastrës arrin ta zbardhë këtë krim të vjetër të ndodhur në këtë qytet dhe vë në pranga të dyshuarin si autor të saj. Bëhet fjalë për shtetasin Drini Aliko nga Lazarati, i cili dyshohet si autor i vrasjes së shtetasit Besnik Ibrahimi nga Gjirokastra. Fakti konfirmohet edhe nga burime zyrtare pranë kësaj policie, e cila shprehet se ka arritur të zbardhë me në fund krimin e ndodhur në vitin 1999 në Gjirokastër ku ka mbetur i vrarë shtetasi Besnik Ibrahimi, banues në lagjen “Punëtore”. Ndërkohë që po sipas të njëjtave burime, policia e ka bërë të mundur arrestimin falë operacionit të koduar “Harresa”, duke i vënë prangat lazaratasit Aliko. Si rezultat i këtij operacioni u bë e mundur që rreth orës 16:30, në vendin e quajtur Kthesa e Viroit, në aksin rrugor Gjirokastër-Subash, të kapej dhe të shoqërohej për në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër autori i dyshuar, 31-vjeçari Drini Aliko, lindur dhe banues në fshatin Lazarat të rrethit Gjirokastër. Sipas burimeve, ky shtetas ishte duke udhëtuar nga Viroi për në fshatin Lazarat me automjetin e tij tip “Xhip Audi” me targa GJ 0777 B. “Pas grumbullimit të provave ligjore dhe dokumentimin e kësaj vepre penale, më datën 27 03.2009, strukturat e sektorit Kundër Krimeve të Rënda në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër në bashkëpunim me seksionin e Parandalimit të Krimit në Komisariatin e Policisë Gjirokastër, rreth orës 16:00, zhvilluan një operacion të koduar “Harresa”, për kapjen e autorit të dyshuar për këtë vrasje”, - bëjnë të ditur burimet zyrtare. Ndalimi i tij u bë, sipas policisë, pasi ky shtetas është autori i dyshuar i vrasjes me armë zjarri të shtetasit Besnik Ibrahimi, nga lagjja “Punëtore” e rrethit Gjirokastër. Bëhet fjalë për një vrasje të ndodhur më datën 04.11.1999, në vendin e quajtur Kryqëzimi i lagjes “Punëtore” në rrugën nacionale Gjirokastër-Kakavijë. Sipas policisë, gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin e tij u gjetën dhe u sekuestruan 5 aparate celularë me gjithë karta dhe një sasi prej 32 mijë lekësh të reja dhe 420 dollarë, të cilat u sekuestruan bashkë me makinën. Për këtë shtetas ishte lëshuar një mandat arresti nga prokurori që po heton çështjen, pasi dolën në dritë fakte që çuan në emrin e këtij shtetasi. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër për veprime të mëtejshme. Ndërkohë që policia bën të ditur se gjithçka është bërë e mundur në vijim të punës së mirë që sektori Kundër Krimeve të Rënda në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër ka bërë për zbardhjen e ngjarjeve të vjetra të rënda si vrasje, vjedhje më armë, vjedhje me dhunë etj., të ndodhura gjatë viteve 1997-1999 në qytetin e Gjirokastrës. Edhe për vrasjen e shtetasit Ibrahimi, policia ka mundur ta dokumentojë plotësisht me prova si ngjarje.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›