E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jeta e emigrantëve shqiptarë në objektivin e Roland Tashos

Autori i Lajmit: Fatjola Kurteshi
Janë të gjithë shqiptarë, që jetojnë e punojnë në Zvicër. Jeta e tyre e vështirë, në kërkim të një bote të ëndërruar, duket se e ka goditur fotografin shqiptar, Roland Tasho, i cili është munduar të fiksojë në celuloid grimca nga jeta e tyre. Ai është një “urëndërtues”, dhe i tillë paraqitet edhe për subjektet e 45 fotove të tij, që do të prezantohen në ekspozitën më të fundit të tij. Ambasada zvicerane në Shqipëri, e mbështetur nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe Fondacioni Kulturor “ProHelvetia”, ka disa ditë që ka prezantuar në Galerinë Kombëtare të Arteve, ekspozitën fotografike të artistit Roland Tasho “URËNDËRTUESIT”. Ambasadorja zvicerane në Shqipëri, Yvana Enzler, në hyrje të katalogut që shoqëron ekspozitën fotografike, shprehet: “Ata u larguan nga vendi për arsye personale, duke mbartur me vete shpresat dhe pritjet, iluzionet dhe ëndrrat. Ata lanë pas rrethin familjar. Takuan njerëz të rinj dhe mësuan gjuhë të re. Iu përshtatën një mënyre të re jetese, u integruan në një mjedis personal dhe profesional të ndryshëm. Pa dyshim, disa herë edhe vuajtën përulje dhe zhgënjime. Emigrantët shqiptarë në Zvicër, fotografuar nga Roland Tasho janë kapur në momente të caktuara të jetës, në punë apo shtëpi dhe shfaqen natyrshëm para objektivit. Janë të qetë dhe të kënaqur me jetët e tyre si dhe me arritjet, të vogla apo të mëdha. Ata janë dëshmi e gjallë që qeniet njerëzore mund të jetojnë në harmoni, nëse pranojnë dhe respektojnë njëri-tjetrin në veçantitë dhe dallimet që kanë”. Iniciativa e Roland Tashos në paraqitjen e ekspozitës “URËNDËRTUESIT” është të jetë një urë komunikimi mes popujve, mentaliteteve dhe traditave të ndryshme. Ai i paraqet bashkëkombësit e vet si qytetarë të botës, pjesë e integruar e saj dhe si faktor në procesin e globalizimit dhe në sfidat e mëdha të kohëve moderne. Ata janë studentë në universitete dhe kolegjet zvicerane, muzikantë, avokatë, bankierë, menaxherë, piktorë e profesorë. Japin kontributin e tyre human e profesional dhe prezantojnë vendin e tyre si mesazherë dhe janë shembull i shkëlqyer i bashkëjetesës dhe integrimit ndërmjet kombësive të ndryshme. Ekspozita “URËNDËRTUESIT” e fotografit Roland Tasho është vazhdim i projektit që artisti ka filluar që në vitin 2003, me shqiptarët e Italisë, “L altra Albania”, dhe do të vazhdojë edhe pas prezantimit të kësaj ekspozite edhe me shqiptarët e Greqisë. Synimi i artistit është prezantimi i ekspozitës në disa qytete të Zvicrës, ashtu siç ka prezantuar ekspozitën “L altra Albania” në 10 qytete të Italisë, për të paraqitur anën tjetër të medaljes së imazhit të bashkëkombësve të tij, për të thyer barrierat dhe për t u ndier qytetarë të lirë të botës së madhe. Ekspozita do të qëndrojë për rreth një javë në një nga sallat e Galerisë Kombëtare të Arteve.

Ky lajm është publikuar: 27/05/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›