E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zjarr në gjimnazin e Durrësit, shpëtojnë dokumentet

Autori i Lajmit: red.
Bie zjarr në sallën e mësuesve në një prej gjimnazeve të Durrësit, policia heton pistën e zjarrvënies me dashje. Objektiv i zjarrvënësve dyshohet se kanë qenë regjistrat dhe evidencat e shkollës. Burime nga policia e qytetit bregdetar bëjnë të ditur se në të gdhirë të ditës së djeshme, një zjarr i fuqishëm ka përfshirë ambientet e gjimnazit "Gjergj Kastrioti". Uniformat blu dhe zjarrfikëset kanë shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes dhe, pas lokalizimit të flakëve, kanë nisur hetimet. Burime nga policia bëjnë të ditur se kanë dalë në konkluzonin se zjarri ka qenë i qëllimshëm dhe dyshimet e para kanë rënë mbi vetë nxënësit e këtij gjimnazi. Sipas të njëjtave burime, mësohet se dyshimet e para janë se synimi i zjarrvënësve ishte shkatërrimi i dokumentacionit të shkollës. Grupi i hetimit ka dalë në këtë konkluzion, pasi epiqendra e zjarrit ka qenë salla e kabinetit pedagogjik, e cila është shkatërruar plotësisht. Pranë saj ndodhet edhe sekretaria, e cila ka shpëtuar nga flakët që pushtuan godinën në orën 3 të mëngjesit të djeshëm. Ndërkohë nëndrejtori i policisë së qarkut Durrës, Hamza Bodlli, gjatë një konference për shtyp, bëri të ditur se flakët kanë djegur gjithë orenditë dhe pajisjet në katin e dytë. Flakët e zjarrit janë shuar shumë shpejt, falë ndërhyrjes së forcave zjarrfikëse, ndërsa shenjat e tymit duken edhe në fasadën e shkollës. Ndërsa drejtori i shkollës, Maksim Bonjaku, ka deklaruar dje se regjistrat e shkollës, që mund të kenë qenë edhe objektiv i zjarrit të ndezur, kanë shpëtuar, pasi prej disa kohësh mbahen në një mjedis tjetër.

Ky lajm është publikuar: 27/05/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›