E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kreu i Tatimeve, që dje në zyrë

Autori i Lajmit: Ornela MANJANI
Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve është i lirë t i kthehet vendit të tij të punës, pas ndryshimit të masës së arrestit nga Gjykata e Apelit për Krime të Rënda. Kërkesa e Arben Sefgjinit për heqjen e masës së sigurisë “arrest në shtëpi” është pranuar dje nga togat e zeza. Drejtori i Tatimeve ndodhej në arrest shtëpie me vendim të Gjykatës së Shkallës së Parë të Tiranës nën akuzat për rrëmbimin dhe më pas zhdukjen e biznesmenit Remzi Hoxha. Sipas burimeve nga Apeli, Sefgjini tani do të gjykohet në gjendje të lirë. Gjithashtu, togat e zeza kanë lënë të lirë Avni Koldashin.
Seanca
Arben Sefgjini dhe Avni Koldashi, të akuzuar për rrëmbimin dhe më pas zhdukjen e biznesmenit Remzi Hoxha, janë paraqitur dje në Gjykatën e Apelit për Krime të Rënda për revokimin e masës së sigurisë. Avokati mbrojtës është shprehur se heqja e arrestit shtëpiak nuk do të thotë largim i Sefgjinit. Pas njohjes me pretendimet e kreut të Tatimeve, gjykata ka vendosur ta lërë atë të lirë, duke e lejuar kështu të marrë në dorë Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve. Të njëjtin argument ka përdorur dhe ish-inspektori i SHIK-ut Avni Koldashi për të fituar lirinë. Trupi gjykues, pasi është njohur me kërkesën e Koldashit, ka vendosur të hedhë poshtë masën e sigurisë “arrest në shtëpi” dhe vendosi që i dyshuari të hetohet në gjendje të lirë.
Akuzat
Procesi gjyqësor ndaj katër të dyshuarve për rrëmbimin dhe zhdukjen e biznesmenit Remzi Hoxha ka nisur më 16 maj në Gjykatën për Krime të Rënda. Seanca e parë është çelur në mungesë të dy të pandehurve të tjerë, Ilir Kumbaros, që është shpallur person në kërkim dhe Budjon Meçes, që është në gjendje të rëndë shëndetësore. Ndërkohë burime nga Prokuroria për Krime të Rënda bëjnë të ditur se ish-drejtuesi i degës së SHIK-ut në Tiranë, Arben Sefgjini, aktualisht drejtor i Përgjithshëm i Tatimeve, Avni Koldashi e Budion Meçe, ish-inspektorë në SHIK dhe Ilir Kumbaro, ish-drejtues në SHIK, i cili është shpallur në kërkim ndërkombëtar, akuzohen për veprat penale "rrëmbim personi" dhe "torturë me pasoja të rënda".
Ky lajm është publikuar: 27/05/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›