E Diel, 1 Nëntor 2026

Çelsi insiston për Paton dhe ofron 30 milionë euro për Maikon

Drogba plus para për Paton: Kjo është oferta (sipas "Daily Star"), që Çelsi është i gatshëm t‘i bëjë Milanit për të arritur te talenti brazilian, që i pëlqen aq shumë Karlo Ançelotit, edhe pse klubi kuqezi vazhdon të përsërisë se, djaloshi nuk është në shitje. Por edhe Andrea Pirlo vazhdon të jetë shumë i interesuar dhe të mbajë një sy nga "Stamford Bridge", edhe pse Milani për të kërkon pak më pak se 21 milionë euro. Para, të cilat (sipas "Daily Mirror") Roman Abramoviç do t‘i shpenzonte me kënaqësi për atë që konsiderohet një nga mesfushorët më të mirë të botës. Megjithatë, Çesli ka bërë një tjetër hap deçiziv drejt Juri Zhirkov të CSKA-së së Moskës, duke takuar drejtuesit e skuadrës ruse të hënën dhe tashmë pritet përgjigjja pozitive e lojtarit për një kontratë prej 93000 eurosh në javë. Çelsi ka bërë tashmë edhe një ofertë për Maikon, të cilin Interi ka lënë të kuptohet se është i gatshëm t‘i japë lejen e largimit në rast se do të vinte një ofertë e rëndësishme. Sikurse është mësuar, "Blues"-at janë gati të ofrojnë 30 milionë euro (ose kështu të paktën thotë "The Sun") për mbrojtësin e Brazilit, sidomos pasi kanë humbur Glen Xhonsonin e Portsmuthit, i cili ka firmosur me Liverpulin për 21.5 milionë euro. Po ashtu, sipas "The Sun", Andri Shevçenko ka dëshirë që ta respektojë deri në fund kontratën, që ka me Çelsin dhe do të prezantohet në fazën përgatitore më 9 korrik, pasi këtë ia ka kërkuar vetë Ançeloti. Por në rast se gjërat nuk do të shkonin siç shpreson ukrainasi, hipoteza Roma duket më e mundshme, të paktën nëse gjykojmë fjalët e bukura të Shevës në lidhje me trajnerin Luçiano Spaleti. "E konsideroj një trajner të madh, shumë serioz dhe të përgatitur, i cili mund të nxjerrë nga lojtarët më të mirën e tyre. Mes nesh ka pasur gjithnjë respekt".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›