Kosova, 50 mijë euro ndihmë banorëve të zonës në Gërdec të Vorës
Qeveria e Kosovës ka vendosur një kontribut prej 50 mijë euro për qytetarët e zonës së dëmtuar në fshatin Gërdec, në bashkinë e Vorës. Lajmi është konfirmuar dje gjatë një takimi që ka zhvilluar Kryeministri Berisha, me ministrin e Transporteve të Kosovës, Fatmir Limaj dhe ministrin e Brendshëm të Kosovës, Zenun Pajaziti. Ministrat e qeverisë së Kosovës i shprehën Kryeministrit Berisha mesazhin e solidaritetit dhe të mbështetjes vëllazërore të Presidentit Sejdiu, Kryeministrit Thaçi, qeverisë dhe mbarë qytetarëve të Kosovës për ngjarjen e ndodhur dje në fshatin Gërdec, në Bashkinë e Vorës. Kreu i qeverisë Berisha falënderoi ministrat e qeverisë së Kosovës, të cilët ishin në Tiranë për të sjellë mesazhin e solidaritetit të mbështetjes vëllazërore të Presidentit, Kryeministrit, Qeverisë dhe mbarë qytetarëve të Kosovës. “Unë u shpreha mirënjohjen time për këtë vizitë dhe për këtë mesazh që sollën, sikundër shpreha mirënjohjen e thellë për solidaritetin e fuqishëm që dëshmuan dje qytetarët në katër anët e Kosovës. Ata krijuan radhët më të gjata pranë spitaleve për të dhuruar gjak për qendrat tona spitalore, si dhe hapën kapacitete në spitalet e tyre për të plagosurit dhe për njerëzit që kishin nevojë për ndihmë. Ofruan të gjithë ndihmën e mundshme për përballimin e kësaj fatkeqësie serioze që goditi Bashkinë e Vorës”, tha Berisha. Ndërsa, ministri Limaj, deklaroi se jemi këtu për t’i shprehur ngushëllimet qeverisë dhe popullit shqiptar për viktimat nga kjo fatkeqësi. “Njëkohësisht, jemi këtu për të ndarë dhimbjen dhe solidaritetin e qeverisë dhe popullit të Kosovës me qeverinë dhe popullin shqiptar, në këtë moment të rëndë. Kosova ka qenë e tëra e fokusuar dhe e drejtuar drejt zhvillimeve këtu, duke e përcjellë atë çdo sekondë. Jemi ndier jashtëzakonisht rëndë dhe keq nga ajo çfarë kemi parë. Ju shprehim ngushëllimet familjeve të viktimave të ngjarjes. Gjithashtu, në emër të qeverisë së Kosovës, shprehim mirënjohjen tonë për hapat që ka marrë qeveria shqiptare, reagimet që ka pasur dhe hallkat dhe mekanizmat gjithështetërorë që janë duke u përkujdesur për banorët e zonës”, u shpreh ai. Ai vuri në dukje se Kosova, shteti më i ri në botë, me mundësitë e kufizuara dhe kapacitetet minimale aq sa ajo i ka sot, ka ofruar një ndihmë simbolike, e cila nuk do të ndalet me kaq. “Ne do të vazhdojmë të jemi afër qeverisë dhe popullit shqiptar këtu, me gjithë mundësitë që kemi. Besoj ju e keni dëgjuar dje se janë aktivizuar për ndihmë në këtë ngjarje edhe ministria jonë e Shëndetësisë, edhe trupat mbrojtëse të Kosovës, edhe qytetarët e saj, pra të gjithë kanë qenë të gatshëm për të dhënë kontribut, brenda mundësive që ekzistojnë. Qeveria e Kosovës ka ndarë nga fondi i saj rezervë 50 mijë euro, por jam shumë i bindur se në këtë kuotë që paraqitet, qytetarët e Kosovës do të marrin pjesë me kontributin e tyre, në mënyrë që t’ua lehtësojmë qytetarëve të zonës eliminimin e pasojave të shkaktuara nga kjo ngjarje”, theksoi Limaj.
Solidaritet i madh ndërkombëtar i është shprehur qeverisë dhe Shqipërisë, për ngjarjen në Gërdec/Kryeministri Sali Berisha konfirmoi dje se një solidaritet i madh ndërkombëtar, i është shprehur qeverisë shqiptare dhe Shqipërisë nga qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Komanda e Forcave Amerikane në Europë, Gjermania, ambasada e SHBA-ve, të cilët kanë shprehur gatishmërinë dhe vullnetin për t’i dhënë një ndihmë të gjithanshme vendit për kapërcimin e kësaj situate”. Në këtë drejtim, Kryeministri Berisha ka marrë dje një mesazh ngushëllimi nga Kancelarja gjermane Angela Merkel. Në fjalët e saj, znj. Merkel shpreh ngushëllimet më të sinqerta për ngjarjen. “I nderuar Zoti Kryeministër, me tronditje të thellë mësova lajmin rreth aksidentit të rëndë të shpërthimit pranë kryeqytetit të Shqipërisë, Tiranës. Lajmet e tmerrshme rreth numrit të madh të personave të vdekur dhe të plagosur më mbushën me pikëllim. Dua t’ju shpreh ndjenjat e mia të thella të simpatisë për Ju dhe për familjarët e viktimave. Gjatë këtyre orëve të rënda mendimet e mia janë për ata që kanë humbur miq e të afërm. U uroj të gjithë të lënduarve një shërim të shpejtë e të plotë”, përfundon mesazhin e saj Kancelarja gjermane Angela Merkel. Ndërkaq, kryeministri vuri në dukje se “ndihmë bujare ka ofruar, mbrojtja civile e Italisë, qeveria greke, e cila ka ofruar sasi të madhe njësish gjaku dhe avionë sanitarë për të ndihmuar dhe transportuar të plagosurit”. “Po kështu qeveria italiane. Solidaritet ka shprehur qeveria gjermane dhe ministri Shtajnmajer, me një letër të dërguar, Presidenti dhe Kryeministri i Kosovës, Kryeministri dhe ministri i Jashtëm i Maqedonisë, qeveria spanjolle, OSBE-ja, PNUD-i, Komisioni Europian dhe përfaqësia e tyre në Tiranë, Këshilli i Europës dhe shumë vende të tjera mike, për të cilën ne ju jemi shumë mirënjohës”, tha Kryeministri Berisha. “U përcjellin familjeve të viktimave, ngushëllimet e tyre, ministri i Jashtëm i Francës, Kushner, i cili më kërkoi mua që në emër të tij dhe të Presidentit Sarkozy, të ngushëlloj familjet e viktimave, po kështu kryeministri i Greqisë, Maqedonisë, ambasada e Italisë, Turqisë, Zvicrës dhe institucione të tjera ndërkombëtare”, u shpreh Kryeministri.