Jeta në taka të larta
Cila femër nuk do donte të ecte në taka të larta, lirshëm, me stilin e një modeleje në pasarelë?
E vërteta është se çizmet, këpucët dhe sandalet vijnë në një formë tjetër, më klasike dhe super elegante, në rastet kur taka është të paktën 10 centimetra e lartë. Por, ajo që dihet tashmë nga të gjithë, e që femrave u kushton dhembje, qëndron te vështirësia për të ecur mbi to për orë të tëra!
Nëse nuk keni veshur thuajse asnjëherë këpucë me taka të larta, këshilla e parë është që të filloni të praktikoheni me taka 5 centimetra, duke e rritur më pas gradualisht lartësinë. Por duhet të keni kujdes! Duke qenë se kjo lloj forme e mban shumë pak kaviljen, mund të provokojë edhe më shumë dhimbje.
Për të stërvitur mirë muskujt e këmbëve dhe për të përmirësuar e rritur ekuilibrin tuaj, duke qëndruar në këmbë, filloni të ngriheni me majat e këmbëve dhe më pas rikthehuni në pozicionin fillestar: E bukura është se mund të stërviteni edhe kur jeni duke pritur autobusin.
Sapo ke marrë një palë këpucë të reja me takë të lartë? Kur ecni me taka të larta, shikoni mirë përpara duke u munduar të mbani qafën të tensionuar, mjekrën lart dhe të gjithë trupin drejt. Në të njëjtën kohë mundohuni të mbani muskujt e relaksuar dhe mos u jepni atyre një formë të ngurtë: është thjesht stërvitje. Krahët mundohuni t’i mbani në mënyrë sa më natyrale dhe shoqërojeni ecjen me lëkundjen e ëmbël të legenit.