E Shtunë, 31 Tetor 2026

Universitetet, 290 programe për maturantët

30/06/2011  Gati formulari i preferencave, hapat se si duhen përzgjedhur degët për 48 mijë garuesit e këtij viti

Sot testimet me zgjedhje. Tarifat për plotësimin e formularit A-2 dhe degët më të kërkuara

Për të fituar një të drejtë studimi në universitete publike për vitin akademik 2011-2012, maturantëve u duhet të konkurrojnë sërish me 10 preferenca të listuara në formularin A-2 sipas rendit zbritës nga më e pëlqyera te më pak e preferuara. Aktualisht bëhet me dije se është hartuar përmbajtja e këtij formulari, që në total do të përmbajë rreth 290 programe të ndryshme studimore për të gjitha universitetet publike në vend. Nga këto programe kandidatët do të listojnë vetëm disa prej tyre sipas kushteve të vendosura. Ekspertët e arsimit konfirmojnë se edhe këtë vit, për të orientuar maturantët plotësimi i formularit A-2, do të bëhet pas shpalljes së rezultateve të arritura në dy provimet me zgjedhje, të cilat zhvillohen gjatë ditës së sotme në të gjitha shkollat e mesme të vendit. Me marrjen e rezultateve për të katër provimet, si dhe duke ditur koeficientet e shkollës së mesme dhe ato të universiteteve kandidatët, duke iu referuar formulës tradicionale, mund të caktojnë vetë totalin e pikëve me të cilat do të hyjnë në konkurrim. Pas përllogaritjes së këtyre pikëve duhet t’i krahasojnë edhe me pikët e fundit të arritura nga secili kandidat në të gjitha programet e studimit gjatë vitit të shkuar. Vetëm kështu e kanë më të lehtë që të bëjnë një renditje degësh, në të cilat shanset për t’u shpallur fitues janë shumë herë më të larta.

Plotësimi/tarifat

Krahas përcaktimeve të bëra në rregulloren e provimeve për këtë vit pohohet se zyrtarisht plotësimi i preferencave për universitetet do të nisë më 22 korrik. Kandidatët do të kenë një javë kohë për të bërë përzgjedhjet dhe për të dorëzuar të plotësuar këtë formular. Me anën e formularit A-2 merren të dhënat për notën mesatare të shkollës së mesme të maturantit dhe 10 preferencat e tij për programet e studimit në institucionet e arsimit të lartë. Për të marrë formularin A-2 nxënësi duhet të ketë bërë pagesën prej 2000 lekë në një bankë dhe të paraqesë faturën e pagesës së bërë. Njëkohësisht në rregullore përcaktohet se do të vijojnë konkurrimin vetëm ata maturantë që janë klasifikuar kalues në të katër provimet, ndërsa pjesa tjetër duhet të shlyejnë detyrimet e mbetura për të konkurruar sërish në vitin pasardhës. Megjithatë, përveç rezultateve të larta të arritura në provime një rol të rëndësishëm në përzgjedhjen e kandidatëve fitues do të luajnë edhe koeficientet e shkollës së mesme dhe të degës së fakultetit si dhe nota mesatare e shkollës së mesme. Gjithashtu plotësimi i formularit A-2 është i detyruar edhe për kandidatët që do të japin konkursin për akademitë, qofshin këto artistike apo sportive. Maturantët mund të fotokopjojnë këtë formular për t’u praktikuar, por duhet të dorëzojnë formularin origjinal të plotësuar. Ata duhet të lexojnë me kujdes udhëzimin për plotësimin e formularit A-2.

Degët

Sikundër ka ndodhur me maturat e shkuara, edhe për këtë vit fluksin më të lartë të kërkesave pritet ta ketë universiteti i Tiranës, 8 fakultetet e të cilit përmbajnë programet studimore më të pëlqyera nga maturantët. Pranë këtij fakulteti vetëm 6 mijë nga 48 mijë kandidatët për shkollë të lartë do të mund të vijojnë studimet e larta. Për t’u pranuar në degët më të kërkuara këta kandidatë duhet të kenë edhe një mesatare të lartë, që për 10 programet e preferuara pritet të shkojë mbi notën 8.

Rregullorja e provimeve (neni 23)

MASH deri më datën 30 qershor miraton:

1. Formularin A-2 të personalizuar me notën mesatare dhe preferencën e programeve të

studimit të shpallura nga institucionet publike të arsimit të lartë.

2. Udhëzuesin e plotësimit të formularit A-2.

3. Maturantët/kandidatët që dëshirojnë të vazhdojnë studimet në fakultetet publike, pasi janë njohur me të gjitha rezultatet e provimeve të maturës, plotësojnë formularin A-2 dhe e dorëzojë atë në komisionet e maturës pranë shkollave të tyre brenda datës 30 korrik.

4. Formularin A-2 e plotësojnë vetëm maturantët/kandidatët kalues në të gjitha provimet e detyruara dhe me zgjedhje.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›