E Diel, 1 Nëntor 2026

Jeta nën strehë prej kartoni e plastmasi

Jeta e komunitetit rom në kryeqytet është nën çdo nivel të jetës normale. Pamja që të shfaqet, nëse shkon në lagjet e tyre, lë shumë për të dëshiruar. Të shikojnë tek i afrohesh dhe dalin të gjithë nga "shtëpia" për të të pritur, madje deri në sekondën e fundit janë të bindur që ti do të ndërrosh rrugë. Nuk ndodh shpesh që njerëzit t‘i përshëndesin e aq më tepër nga afër. Janë mësuar me sjelljen indiferente dhe moskokëçarjen e kryeqytetasve. I shohin ashtu barktharë dhe nuk u zgjasin dorën, nuk bëjnë asgjë për t‘i ndihmuar dhe për më tepër preferojnë që gjërat e tyre të vjetra më mirë t‘i hedhin në koshin e plehrave, sesa t‘ua falin këtyre të vobektëve. Këtë fakt e mëson nga Arif Nasi, burri 55-vjeçar i familjes që jeton nën një strehë prej kartoni. Ajo nuk mund të quhet as kasolle. Është një dhomë e improvizuar me dërrasa e kartonë, në të cilën i kalojnë ditët gjashtë anëtarët e familjes Nasi. Këmbët e tyre prekin dheun në përditshmëri, por në ditët më të ftohta ata kanë ecur sipër akullit të ngrirë. Pjesëtarët e familjes Nasi kurrë nuk kanë gjetur një shtrat ku të shtrihen apo edhe një tavolinë ku të hanë bukë. Ky i ftohtë u është futur deri në palcë. Në sytë e prindërve sheh dhimbjen për jetën që po u japin katër të vegjëlve të tyre, ndërkohë që duart e fëmijëve janë nxirë nga i ftohti.

I ftohti i shtohet varfërisë

Temperaturat kanë qenë edhe më të ulëta për këto familje që jetojnë pranë bregut të Lanës në rrugën "Irfan Tomini". Në këtë zonë janë rreth 30 shtëpi rome, por kjo lagje shënon kulmin e varfërisë. Askush nuk u ka zgjatur një pjatë të ngrohtë me gjellë, apo të paktën t‘u japë ndonjë gjë për t‘u mbuluar. Edhe pse jetojnë të rrethuar me pallate, me njerëz që i shohin disa herë në ditë, injorohen sikur të mos ekzistonin. Kushtet e jetesës së tyre janë të mjerueshme. Barakat janë ndërtuar me kompensata e qese, ndërsa çatitë i mbajnë të fiksuara gomat e makinave. Shoqëruesit e tyre të përhershëm janë minjtë, pluhuri, shiu, era, sidomos pas mesnatës. Ndërsa ngrohja përbën një problem më vete në këtë vend. Shumica e popullsisë përdor drutë si burimin kryesor të ngrohjes.

"Jemi në pikë të hallit. Askush nuk kujtohet për ne. Duket sikur na ka harruar edhe Perëndia me këtë jetë që bëjmë. Nuk kemi as shtëpi, as punë, as ndihmë sociale. Fëmijët na kanë mbetur pa shkollë. Nuk kemi me se të ushqehemi. Në verë i shtyjmë disi vaktet me ndonjë domate a ndonjë perime, por në dimër ka edhe ditë që rrimë pa ngrënë. Nuk na ka ndihmuar askush, përveç disa shoqatave bamirëse me ndonjë thes miell a ndonjë ushqim tjetër. Kjo është jeta jonë", tregon Drita Hasani, një grua 44-vjeçare. Situata momentale e romëve është shumë e rëndë, si në aspektin politik, social, ekonomik, arsimor, kulturor etj. Atyre, në radhë të parë u mungon arsimimi dhe edukimi shkollor, për shkak të mungesës së kushteve për t‘u shkolluar. Romët karakterizohen nga një nivel i ulët arsimor. Deri tani asnjë institucion nuk ka ndërmarrë ndonjë nismë reale për t‘i vendosur problemet e romëve në binarët e duhur. Në këto kushte, ata vazhdojnë të jetojnë në mëshirë të fatit.

"Unë kam shtatë fëmijë, tregon Drita Hasani. Të shtatë nuk kanë asnjë klasë shkollë. Dy vajzat, njëra 17 dhe tjetra 14 vjeçe, i kam të martuara. E di që janë ende fëmijë, por atje ku janë mund të hanë një copë bukë më tepër se ç‘mund t‘u jepja unë. Vetë jam e papunë, burri mundohet ditë e natë për të shitur hekura e për të fituar ndonjë lek", përfundon ajo.

Romët, jashtë ndihmës social-ekonomike

Veç të tjerave, pjesa dërrmuese e romëve nuk e gëzon të drejtën e ndihmës sociale. Edhe atyre pak që marrin ndihmë, nuk u jepen më shumë se 18 mijë lekë të vjetra, me të cilat nuk mund të shtyhet muaji as për një person të vetëm, e jo më për një familje. Krahas prindërve, edhe fëmijët romë torturohen duke rrëmuar nëpër kosha për të mbledhur kanoçe apo për të lypur ndonjë monedhë në rrugë. E, në fakt, kështu mundohen të gjithë nga pak për të mbijetuar. Prindërit kanë qejf t‘i çojnë në shkollë, por nuk kanë lekë për t‘u blerë libra e rroba. Hallet janë të njëjta për të gjitha këto familje, e kur i pyesim pse bëjnë kaq shumë fëmijë kur s‘kanë bukë për të ngrënë, ata na përgjigjen: Fëmijët na japin bukë për të ngrënë, duke lypur. Shqiptarët ngopen me ëndrrat për pasurim të shpejtë dhe romët me premtimet boshe të politikanëve. Prandaj që të mos na vritet syri mua, ty dhe gjithë të tjerëve, kur shohim ende rrugëve të kryeqytetit tonë "fytyra të palara", le t‘i bëjmë një apel shtetit, duke iu referuar në mbyllje shkrimtarit të madh rom, Frederiko Garcia Lorka, që thotë: "Një vend pa romë, është një vend pa liri".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›