E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jeta nuk është ëndërr



Salvatore QUASIMODO (Nobel)

Përgjigje tjetër

Po ç’kërkoni ju morra të Krishtit?
Nuk ndodh asgjë në botë dhe njeriu
Shtrëngon akoma shiun në flatrat e tij
Prej sorre e thërret dashuri dhe papërkulshmëri.
Për ju nuk mungon gjaku
Nga përjetësia. Vetëm delja
I përdridhet rikthimit të saj me kokën
E thatë dhe syrin e kripur.
Por nuk ndodh asgjë. Dhe tashmë është myshk
Kronika në muret e qytetit
Të një arqipelagu të largët.

Thanatos Athanatos

E pra duhet të të mohoj, Zot
I tumoreve, Zot i lules së gjallë,
Dhe të fillojmë me një “jo” gurit të
Errët “Unë jam” dhe të pohojmë vdekjen,
Dhe mbi çdo gur varri të shuajmë të vetmen
Siguri tonën: “Thanatos Athanatos”?
Pa një emër që të kujtojë ëndrrat,
Lotët, shkëndijat e këtij njeriu
Të thyer nga pyetja akoma e hapur?
Dialogu ynë s’flet; bëhet
Tani e mundshme absurdja. Atje
Përtej tymit të mjegullës, brenda pemëve
Vigjëlon pushteti i gjetheve,
I vërtetë është lumi që shkel në brigje.
Jeta nuk është ëndërr. I vërtetë njeriu
Dhe e qara e tij xheloze e heshtjes.
Zot i heshtjes, hape vetminë.

Oboe somerso

Dhimbje therëse, vonoje dhuratën tënde
Në këtë orën time
Të braktisjeve frymore.

Një oboe e ngrirë ribelbëzon
Gëzim gjethesh të përjetshme,
Jo të miat, dhe të harruara;

Tek unë bëhet mbrëmje:
Uji perëndon
Mbi duart e mia të mbuluara me bar.

Flatra lëkunden në qiellin e venitur,
Të paqëndrueshme: zemra shpërngulet
Dhe unë jam i shpërndarë,

Në ditët e një gërmadhe.

Dhe është menjëherë mbrëmje.

Çdokush qëndron vetëm në zemrën e tokës
I qarkuar nga një rreze dielli:
Dhe është menjëherë mbrëmje.

Engjëj

E humbur çdo ëmbëlsi e jetës tek ti,
Ëndrra le të ekzaltohet; bregu i panjohur përballë
Të të vijë përpara ditës,
Këto ujëra të qeta sapo lëvizën,
Dendësi engjëjsh të pemëve të gjelbra në qarkim.

E pafundme të qoftë; e kaloftë çdo orë
Në kohën që shfaqet si e përjetshme,
Qeshje rinie, dhembje,
Ku në fshehtësi kërkoje
Lindjen e ditës dhe natën.

Poezi dashurie

Era përvidhet e ekzaltuar dhe sjell
Gjethe mbi pemët e Parkut,
Bari është tashmë përqark
Mureve të kështjellës, barkat
Prej pluhuri radhiten mbi Kanalin e Madh.

E acaruar, e çakorduar është një ditë
Që kthehet nga ngrica si një tjetër,
Proçedon, dëshiron. Por je ti dhe nuk ka kufij:
Dhunon atëhere vdekja e palëvizshme
Dhe përgatit shtratin tonë prej të gjallësh.

Metamorfozë

Në urnën e shenjtorit
Të vdekurit piqen,
Zemra ime me ta.

Mëshirë për veten
Në lëngun e fundit që ka toka.

Lëviz në xhamat e urnës
Një ditë pemësh liqenorë;
Më shkreton heshtja e errët,
Shenjtor i panjohur: binjakëzohem
Me farën e humbur, larva të gjelbra:
Pamja ime i është atyre pranverë.

Lind një kujtim errësire
Në fund të puseve të muruar,
Një jehone këmbanash:

Është relikja jote
E pllakosur.

Amen

Për të dielën në Albis

Nuk më ke tradhëtuar, Zot:
I çdo dhimbjeje,
Jam krijuar para lindjes.

Pemë

Nga ti një hije shkrihet
Që sikur vdes timen
Dhe pse në ideal luhatet
Ose shkatërron ujin e freskët kaltërosh
Në bregun e Anapit, ku do të kthehem sonte
Që më shtyn marsi hënor,
Tashmë me bar të pasur dhe flatra.

Jo vetëm hijes së gjallë,
Që toka dhe dielli janë dhuratë e ëmbël e ujit,
Të ka bërë të re çdo thellësi,
Ndërsa unë kërrusem e thahem
Dhe në fytyrë prek lëvozhgën tënde.

Nga rrjeta prej ari
Nga rrjeta prej ari varen merimanga të neverithshme.

Përktheu Jonida Roli

21 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›