E Shtunë, 31 Tetor 2026

Midis orës 5 e 6 të mëngjesit



Faruk MYRTAJ

“E-r-i-k”, u paraqit emigranti. “M-o-n-a”, shtoi gruaja e tij. “Unë jam Majk”, ishte prezantuar intervistuesi, një nëpunës i qetë, pak më tepër i shëndetshëm se ç’dëshirohej në moshën e tij, por i kënaqur e i sigurt në punën që bënte (sigurisht paguhej mirë, mendonin njëherësh të dy). Fliste me zë të ulët në një anglishte të qartë për ta e nuk shfaqte asnjë shenjë bezdie për anglishten e tyre të çalë. Kishte vite që punonte me emigrantët dhe arrinte të kuptonte, prej theksimit, vendin nga vinin. Të shumtët nga Lindja. Dukej sikur tërë Lindja ishte nisur për në Perëndim.
Nuk duhej ta shprehte, por Majk e ndjente turbullimin e atyre që kishte përpara. Si të gjithë, të shqetësuar ngaqë s’kishin asnjë ide për pyetjet që mund t’u bëheshin. Madje, u duhej edhe pak kohë t’i kuptonin pasi i dëgjonin. Kurse ai pothuaj i dinte edhe përgjigjet e tyre. Ndjente edhe kujdesin e tyre për të zbatuar këshillat e emigrantëve më të hershëm.
“Nuk janë më dìplomat dhe nderet në atdhe. Harrojini! Këtu s’të pyet njeri ç’ke qenë. Të pyesin çfarë di të bësh. Çfarë merr përsipër të bësh. S’është e thënë t’i dini ato që merrni përsipër. Njëlloj si për gjuhën: askush s’e di deri në fund, por të gjithë merren vesh. Një orë e më parë, shporru kujtesës. Pas kësaj, gjërat bëhen të thjeshta: hyni në një dhomë të errët, por dini vendin e çelësit dhe shkon vetë dora atje...”
Ai duket i drojtur. Uli dhe sytë kur dëgjoi të shoqen të thoshte se, atje prej nga vinin, kishin ushtruar pikërisht këtë punë. Nga përskuqja në fytyrën e tjetrit, Majk kuptoi se gruaja s’po thoshte të vërtetën, por s’ishte detyrë e tij të provonte të këtë. As që ia vlente dyshimi. E shkuara e emigrantëve nuk verifikohej. Mbetej atje prej nga vinin.
“ǒne kështu, e dashur?! Ti s’ke gënjyer kurrë në Atdhe...” “Harroje Atdheun...” i kujtonte të shoqit siguria e saj. “Ekselent”, kishte thënë më në fund intervistuesi Majk. “Mbase ky ishte Fati ynë”, tha gruaja, duke vështruar nga bashkëshorti. “O.K! - përsëriti Majk. - Kur do të filloni punë?” “Që sonte!”, thanë ata të dy. Me një gojë. “O.K!”
Këtu të gjithë thoshin Okej. Në të gjitha rastet. Në secilën prej fjalive.

* * *
Punonin prej orës 11 të natës, deri më 6 të mëngjesit. Diku, në një Gym të Torontos. Hollësitë e punës nuk ia vlen t’i përshkruajmë, se pagesa s’është e keqe. Majk e di mirë se, sapo u përmendet pagesa në dollarë për orë, mendja e emigrantëve lindorë shndërrohet automatikisht në makinë llogaritëse. Një dollar shumëzuar për koeficinetin e këmbimit me monedhën e vendit nga vijnë. S’janë pak. Janë shumë. Pa llogaritur mbarësinë e fëmijëve.
Sa herë përmendin fëmijët, u ndritin fytyrat. Duken më të rinj se në orët kur ngrihen nga gjumi në mesnatë për t’u nisur për punë. Bëhen fëmijë duke ëndërruar për fëmijët, edhe pse, po t’i pyesësh si e përfytyrojnë të ardhmen e tyre, s’dinë të shpjegohen. Sigurisht më të lehtë se në vendlindje.
“Fëmijët në Kanada kanë Zotin e tyre të posaçëm”, thonë ata të dy. “Gratë këtu respektohen realisht”, shton ajo. “Fill pas fëmijëve, grave, qenve e maceve, edhe burrat ndjehen të respektuar këtu!”, plotëson ai. Duke qeshur pa të keq, pra pafajshëm.
Puna i lodh. Orët e natës ndeshen papushim me kujtesën e së shkuarës. Ai shkon më parë në shtrat. Për zakon, merr një libër. Dëshiron të lexojë, por edhe për të pritur çastin kur gruaja do të shtrihet pranë tij. Zgjohen nga zilja e orës. Vetëm atë çast kuptojnë se gjumit i dorëzohen si vdekjes. Sa ditë, sa javë, që s’kanë pasur ngè t’i gëzohen trupit të njëri-tjetrit?
A vlen të sakrifikojmë deri këtu? Instiktivisht kujtonin se në dhèun e tyre mungonin deri edhe gjëra elementare për t’u ndier njerëz. As ujë rregullisht, as dritë, për të mos zënë në gojë se ishte më ftohtë në banesë sesa jashtë saj. Një ashpërsi e pa shkak, se paku e pashpjeguar, e të gjithëve me të gjithë, endej nëpër ajër.
“S’më besohet dot që i shpëtova fëmijët...”, thoshte herë pas here ajo. “Unë s’prisja të dilnim në mesnatë, në dëborë, si dikur…”, shtonte ai. Nuk flasin kurrë për punën që bëjnë. Bëjnë ç’mos ta shmangin mëdyshjen tek vrapojnë për të arritur urbanin e natës, mes borës, nën vërshëllimën e erës që e zbret temperaturën si brenda një epruvete të vënë mbi llampën e ndezur të alkolit. E shkuara vidhet dhe u shfaqet si një ëndërr që bëjnë sikur nuk e shohin më. Zgjohen për pak sekonda, teksa ciken lehtë duke dremitur në autobusët e natës, por rehatohen shpejt për shkak të ngrohtësisë. Edhe pse atje jashtë dëbora e Torontos s’mbaron kurrë së shkriri. Asgjë për t’u shqetësuar. A kemi vendosur të ndryshojmë jetën e fëmijëve. Duke ndryshuar së pari tonën! Take it easy...
Okej?! Okej!

* * *
Gjatë natës, vetëm ata të dy, në hapësirën e Gym-it. Të nesërmen vinin njerëz që luftonin me mbipeshën. E vuanin shëndoshjen në mënyrë të çuditshme. Ai e kundronte buzagaz të shoqen, teksa pothuaj fluturonte si pupël. Nuk e përfytyronte dot gruan e tij me hallin e tyre. Ndonjëherë, pikërisht kjo zhdërvjelltësi e saj e bënte të ndjehej fajtor. Nxitonte, që të mbetej ca më pak punë për gruan e tij. Edhe pse, ta marrë e mira ta marrë, ca kilogramë më shumë do ta bënin edhe më të hijshme...Por kjo botë kështu ishte bërë: shëndeti i dikujt hapte punë për dikë tjetër. Secilit i duhej të humbte që të merrte diçka...
Me kalimin e ditëve puna u lehtësohej. Pa e menduar, vunë re se u mbetej i lirë një tridhjetë minutësh. Diku midis orës 5 dhe 6 të mëngjesit. Çdo ditë, në të njëjtën kohë, dilnin nga palestra dhe çapiteshin nëpër korridorin e ngrohtë e të shtruar. Në hollin aty përballë ishte një stol. Atje uleshin. Kush i shihte paksa të përgjumur, kush e di për çfarë mund t’i merrte. Ajo me pallton e zezë, ai me xhupin gri, hequr dhe hedhur në shpinoren e stolit. Mbase mund t’i merrje si një çift, lodhur nga orët e jetës së natës, apo si njerëz që kanë vendosur ta shijojnë deri në fund jetën, por kurrësesi si dy hallexhinj që sapo kanë hequr qafe një punë të rëndomtë.
Prandaj dhe nuk kemi pse tregojmë për punën e tyre. Kemi thënë vetëm që janë një çift emigrantësh, se punojnë overnight në një palestër, por nuk kemi dhënë asnjë hollësi tjetër. Lexuesi le ta plotësojë si të dëshirojë këtë mungesë përshkrimi. Atë stolin ku ulen ata të dy, le ta vendosë ku të mund. Jeta është nëj teatër masiv ku secili luan rolin e tij. Take it easy...
S’mund të harrojmë se në atë korridor të ngrohtë, dëgjohet muzikë. Mbase gjatë tërë natës. Nuk dinë për orët e tjera, por midis orës 5 dhe 6 aty dëgjohet muzikë. Madje u besohet se muzika fillonte vetëm pasi heqin ajo pallton e madhe të zezë dhe ai xhupin gri, dhe pasi i hedhin në shpinoren e stolit. Madje, fill pasi marrin frymë, thellë-thellë, dhe pasi prekin dorën e njëri-tjetrit, pikërisht atë çast dëgjonin muzikën.
Në atë hapësirë korridori llamburitës asnjë lëvizje. Ata të dy, vetëm ata, dhe manekinët në vitrinat e pafundme, rënduar me reklama rrobash, syzesh, këpucësh, sandalesh, bizhuterish. S’kanë asnjë lidhje midis. Nuk flasin për to. Jo pse janë të lodhur, por se s’ka pse thonë gjëra që merren me mend. Një herë të vetme, ajo shkoi ndërmend se ato këpucët me taka të larta do t’i dëshironte t’i kishte kur ishin në Atdhe, por u kujtua se të shkuarën duhej ta harronin. “Duhet ta kisha harruar madje, ç’bëj kështu unë marrokja!”, flet me vete. Si për t’u shfajësuar për fajin që s’bëri, afron dorën tek e tija dhe vë buzën në gaz. Ndërkohë, ai qorton veten se kurrë nuk e kishte vlerësuar rëndësinë e dhuratave për femrat. Një unazë, një shëtitje në muzg, një tufë lulesh në festën e grave, në ditëlindjet, në ditën e Shën Valentinit, në përvjetorët e martesës... Sipas tij, ca formalitete të tepërta kur ishte dashuria.
“Këtu më duhet të ndryshoj, - po fliste me vete edhe ai, - seriozisht, por...nuk mundem kaq shpejt... Më pëpara duhen edhe ca para!”
Duart e tyre gjejnë verbërisht njëra-tjetrën, si çelsin në dhomën e errët. Një zë i dridhshëm, një mrekulli e butë, si një pëshpëritje në vesh, u depërton në thellësi të trupit e të shpirtit, kjo muzikë shlodhëse, hyjnore, me aftësi të pashpjegueshme për t’i lumturuar, diçka që, pse të mos e kujtojnë, as ëndërrohej në atdheun e tyre. Lodhja u ofrohej fshehurazi, gjithaq tinëzisht provonte t’u dhelte nevojën e trupit për gjumë, arrinte t’u rëndonte perdet e syve, bënte t’u ulte qepenët e tyre, vetëm për pak çaste. Ata kryenin ndonjë lëvizje, herë njëri e herë tjetri, herë të dy njëherësh, arrinin të mbeteshin zgjuar. Të etur thellë në shpirt për atë ajër të ngopur me muzikë, luteshin që kënaqësia të mbante zgjuar edhe trupin e munduar.
Mbase ishte thjesht mrekullia e natës, që shtonte diçka që as vetë orkestrat ndoshta nuk e dinin. Ose s’do të mundnin, po të porositeshin. Këto këngë të mund të transmetoheshin edhe gjatë ditës, por, gjithnjë pafajshëm, duhej të përballonin tonet e larta, britmat dhe klithmat e rrugëve, rënduar nga makinat dhe milionat e njerëzve që nxitonin, bërtisnin, klithnin për t’u dëgjuar, përpiqeshin për të arritur diku në kohë, mbase te buka, gjalpi, mishi, gazeta, politika, femrat, luftrat.
Nata ishte tjetër. Edhe muzikën e kishte tjetër... Ata të dy besonin se nuk e kishin dëgjuar kurrë këtë muzikë. Me dëshirën që koha kur do të vinte klienti i parë në palestër, dhe ata të dy të mund të niseshin për shtëpi, të vonohej sa më shumë. Thuhet se nga lodhja e madhe nuk të zë as gjumi, por kjo s’kishte lidhje me ata. Kishin dëgjuar se muzika ngjall e vdes shpirtra, dhe në atë korridor, ajo e shenjtëruar, s’pushonte së derdhuri, mahnitëse, e ngrohtë, e butë fare, paçka se bënte gjoja sikur s’kishte punë me ata, njëlloj si me manekinët, përtej qelqit të vitrinave.
Nja dyzetë kilometra prej aty, fëmijët flinin. “Shpirtat e nënës”, pëshpëriste ajo, teksa ai, babai, mjaftohej me dëgjimin e kësaj pëshpërime. Më tej, të dy besonin se “qenkeshin kaq të vegjël, që u gëzonin veç fëmijëve...”, por ndjeheshin të justifikuar se tërë këtë gjendje shpirtërore e kishin prej muzikës që dëgjonin midis orës 5 dhe 6. Kjo botë, siç duket, për seclin e ka një qoshkë. Y stol tani është qoshku i tyre. Përse të mos i ishin mirënjohës intervistuesit Majk, por edhe asaj punës në atë sallë fitnesi, që u kishte krijuar shansin t’i gëzoheshin kësaj gjendjeje shpirtërore?
Diku nga ora 6 pa dhjetë, prej fundit të korridorit, shfaqej një kineze. Përditë nxitonte, me një xhup të kafejtë e atlete të bardha. “Kjo e bekuar, ku shkon në këtë orë, me këtë çantë, ku?!”, thoshte gjithnjë ajo. “Ka edhe kinezja pjesën e saj në këtë muzikë!”, shtonte ai. Kishin lexuar diku se në çdo pesë njerëz, katër janë kinezë, dhe këtyre netve kjo tingëllonte si diçka e mrekullueshme. Pasi kinezja humbte sysh, prisnin që aty nga 6 pa pesë, të kalonte një mesoburrë, me dy çanta të rënda. Aq të holla i dukeshin këmbët nën xhinsat, sa dukej se pak më tej do t’i këputeshin dhe ai do të binte përmbys. Por askurrë nuk ndodhi kjo. E ka një rrugë për të bërë edhe ai, thoshin ata të dy, pak minuta në këtë koridor, nën këtë muzikë…

* * *
Në orën gjashtë ishin të bindur se nuk kishin pse rrinin më aty. Pikërisht atëherë shfaqej tek hyrja e sallës së fitnesit dikush prej personelit apo prej klientëve, dhe muzika dëgjohej ndryshe. E humbiste tashmë, në çast, atë ëmbëlsinë e pakmëparshme. Kush e di pse, në të njëjtën orë. Fiks në orën 6. Ngaqë do të iknin ata? Si mund të bëhej kaq shpejt e ashpër, grricëse, tërë zhurmë? Thjesht pse muzika e natës bëhej e ditës?
“Çohemi, honey...?!” “Edhe sot e kaluam mirë...” “A të kujtohet...?!” “Të lutem...mos na kujto gjë...” “E kisha fjalën për...” “E di, e di, por jemi tepër larg...” S’ishte e thënë t’i bënin me zë këto dialogje. Në fund të fundit, kjo është jeta. Edhe sikur të jetosh njëqind vjet, të njëqind vjetët do të duhet të jesh në kërkim të pak çasteve të tilla. Mezi i gjen, tepër rrallë, shpesh atje ku s’i pret, atëherë kur ndjehesh i pa shpresë, midis orës 5 dhe 6, pas një nate të pagjumë, për shembull. Ato mund të jenë vetëm pak ditë, pak orë, disa minuta të fshehura nën mëngën e Fatit, që fle kush e di se ku. Duken si shumë pak, por në të vërtetë janë e gjithë jeta.

21 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›