Jeta shqiptare e vitit 1913, e përmbledhur në 60 fotografi
Në kohën kur bota po njihej për herë të parë me fotografinë me ngjyra, disa fotografëve francezë iu ishte besuar detyra për të shkrepur aparatin fotografik në gjithë botën. Viti 1907, i cili shënon edhe zbulimin e fotografisë me ngjyra, kishte qenë koha kur ata kanë nisur misionin për të fotografuar botën. Zbarkimi në Ballkan do t’iu jepte rastin për të shkelur edhe trojet shqiptare. Rreth gjashtëdhjetë fotografi me ngjyra që pasqyrojnë imazhin e Kosovës dhe Shqipërisë në vitin 1913, kishin qenë pjesë e rezultatit të kësaj “ekspedite”. Këto fotografi kishin gjetur “strehim” në një muze në Paris dhe do të qëndronin aty deri para dy vitesh kur albanologu e studiuesi Robert Elsie do t’i vinte detyrë vetes për t’i përmbledhur në një katalog. Versioni i dytë i katalogut me fotografi “Kosova dhe Shqipëria me ngjyra”, i Robert Elsie, i botuar në anglisht, shqip dhe frëngjisht, u promovua të martën në Universitetin Amerikan të Kosovës. Katalogu përmban 60 fotografi të bëra në Kosovë dhe Shqipëri, të cilat dokumentojnë stilin e veshjes, pasurinë arkitektonike dhe vetë mënyrën e jetesës shqiptare.
Me këtë rast, Elsie ka zbardhur detaje lidhur me përmbajtjen e katalogut, duke zbërthyer edhe vetë idenë që i kishte paraprirë vullnetit të tij për të botuar “fragmente” nga jeta, kultura e tradita e shqiptarëve gjatë vitit 1913. “Fotografitë janë ruajtur në një muze në Paris ku ndodhen në kuti prej xhami. Janë dhjetëra mijëra të gjithë botës dhe arrita t’i merrja për botim”, ka thënë Elsie, duke shtuar se versionin e parë të katalogut e kishte botuar në vitin 2008. Katalogu “Kosova and Albania in Colour”, i cili së fundi është botuar në Holandë, për Elsie është finalizim i një dëshire për të prezantuar botën shqiptare me fakte. “Kur i kam parë për herë të parë këto fotografi më kanë lënë mbresa të thella dhe kam vendosur t’i botoja, sepse unë ndjek atë thënien se “historia e shkruar mund të shtrembërohet, por fotografitë tregojnë të vërtetën që nuk mund të ndryshohet’”, ka thënë Elsie. Duke thënë se këto fotografi janë të parat me ngjyra që janë bërë në Kosovë, Elsie ka ngritur një paralele mes botës shqiptare të vitit 1913 dhe asaj të tanishmes. “Fotografitë e Tiranës kanë qenë diçka e papritur për mua. Ndërsa ato që janë bërë në Prishtinë më kanë mahnitur, sepse sot vërejmë se nuk ka mbetur asgjë nga Prishtina e vjetër”, ka thënë ai. Sipas Elsie, kopjet e “Kosova and Albania in Colour” së shpejti do të mbërrijnë edhe në Kosovë. Fotolegjenda: “Kur i kam parë për herë të parë këto fotografi më kanë lënë mbresa të thella dhe kam vendosur t’i botoja, sepse unë ndjek atë thënien se ‘historia e shkruar mund të shtrembërohet, por fotografitë tregojnë të vërtetën që nuk mund të ndryshohet’”, ka thënë Elsie
Një meshë poetike për Zef Zorbën
“Zef Zorba është një nga poetët më të shquar të letrave shqipe të gjysmës së dytë të shekullit të njëzetë, pra e asaj periudhe që nga mënyra të ndryshme është quajtur si kohë e komunizmit shqiptar”, ka shkruar Ismail Kadare në parathënien e veprës së re të autorit. Zef Zorba është një nga ata poetët që zgjodhën heshtjen në kohën e komunizmit për të mbijetuar. Mbrëm në mjediset e Ministrisë së Kulturës u organizua një meshë poetike për poetin Zorba. “Buzë të grira në gaz” vepra e tij poetike me parathënien e Ismail Kadaresë falë shtëpisë botuese “Princ” do të jetë për publikun. Për të referuar figurën e poetit të shquar, botuesi Myftar Gjana mblodhi në një odeon mendimi, doktorët e Shkencave Mark Marku, Ardian Marashi, Sabri Hamiti, Stefan Çapaliku dhe Primo Shllaku. Në këtë meshë poetike, pianoja e Robert Radojës dhe violina e Lorenc Radovanit kanë shoqëruar çdo moment me një emocion të pa përshkruar veprën e Zef Zorbës. Myftar Gjana, botuesi i tij thotë se “ka një refuzim estetik për t’i njohur dhe pranuar ata”, thotë Gjana. Ky i fundit në kolanën e tij tek Shtëpia Botuese “Princi” nuk do të ndalet këtu. Ai është duke u munduar të sjellë Arshi Pipën e plotë në një përpjekje për të sjellë një nga studiuesit më të mëdhenj të letrave shqipe të gjithë kohërave.
1 Prill 2010