Miratohet përbërja e Komitetit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore
Gjatë mbledhjes së qeverisë është miratuar përbërja e Komitetit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore Shpirtërore dhe përcaktimin e masës së shpërblimit të antarëve të tij. Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 6, të ligjit nr.9048, datë 7.4.2003, “Për trashëgiminë kulturore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Këshilli i Ministrave vendosi: Komiteti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Shpirtërore të kryesohet nga ministri përgjegjës për trashëgiminë kulturore dhe në përbërje të tij të jenë: drejtori i drejtorisë përgjegjëse për trashëgiminë kulturore, sekretar; përgjegjësi i sektorit për trashëgiminë kulturore, anëtar; një specialist për trashëgiminë shpirtërore, pranë ministrisë përgjegjëse për trashëgiminë kulturore, sekretari i Komitetit Kombëtar të UNESCO-s, pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme,një specialist i muzikës popullore (etnomuzikolog), një specialist i folklorit, gjuhës dhe dialekteve (etnolog), një specialist i etnografisë, riteve dhe shfaqjeve popullore (etnograf), një specialist i vallëzimit popullor dhe lojërave popullore (etnokoreolog), një specialist i katalogimit të trashëgimisë shpirtërore (dixhitalizues), një specialist i menaxhimit të trashëgimisë dhe turizmit kulturor (menaxher). Anëtarët e Komitetit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore Shpirtërore, të përmendur në pikën 1, caktohen nominalisht me urdhër të ministrit përgjegjës për trashëgiminë kulturore. Mbledhjet e Komitetit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore Shpirtërore thirren, si rregull, nga kryetari, jo më shumë se 4 herë në vit. Anëtarët e këtij komiteti, të cilët nuk punojnë në sistemin e institucioneve shtetërore të specializuara, përfitojnë një shpërblim prej 5 000 (pesë mijë) lekësh për çdo mbledhje. Pagesa për shpërblimin të përballohet nga buxheti i ministrisë përgjegjëse për trashëgiminë kulturore.
1 Prill 2010