E Shtunë, 31 Tetor 2026

Muhamed Mufaku: Anarkia e prezantimit të Kadaresë në gjuhën arabe



Në vitin 2005, kur doli ribotimi i librit të Bashkim Kuçukut “Kadare në gjuhët e botës”, pra me shënime të plotësuar që mungonin në botimin e parë, kam vërejtur se ende mungonin të dhëna në lidhje me përkthimet e Kadaresë në gjuhën arabe, shkruan Muhamed Mufaku, historian me origjinë nga Kosova dhe anëtar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, por i lindur në Damask, i njohur për prezantimin dhe afirmimin e kulturës e të historisë së shqiptarëve në gjithë botën arabe. Me atë rast e vështrova librin e Kuçukut në shtojcën për kulturë të gazetës gjithë arabe “al¬Hayat” (22.11.2005 ), duke prezantuar të gjitha përkthimet e Kadaresë në gjuhën arabe.
Në atë artikull e kam shtruar dhe kritikuar “anarkinë” ekzistuese me përkthimet e Kadaresë në arabishte, gjë që nuk ndodhi me asnjë shkrimtar të rangut të vet. Kështu ndodhi, që i njëjti roman, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, të përkthehet e të botohet dy herë: një herë në Damask nga shqipja, më 1981, dhe një herë nga anglishtja në Kajro, më 2001. Po kjo mund të ndodhë për ndonjë arsye, por problemi këtu është se përkthimi i dytë që doli në Kajro nuk përmendi fare në parathënie të përkthyesit Abdulhamid al-Gammal, përkthimin e parë në Damask nga Abdulatif Arnauti dhe arsyen për ripërkthimin e romanit. Aq më keq, përkthimi i ri në Kajro doli me emrin “Ismail Kadri”, që tregonte sikur të ishte një autor tjetër! Me fjalë të tjera, është pritur që me përkthimin e dytë të përmirësohen ca lëshime e gabime që i ka pasur përkthimi i parë në Damask por, për fat të keq, doli përkthimi i dytë me gabime të tjera që i kam vështruar në shtojcën për culturë të gazettës jordaneze “al-Rai”(Amman 29.3.2003 ). Mirëpo, nuk është ky vetëm fati i “Gjeneralit” në botën arabofone. Në të vërtetë, kjo “anarki” vazhdoi edhe me romanin “Kështjella” të Kadaresë. Duke pasur parasysh se përkthimet e veprave të Kadaresë bëheshin pa lejen ose dijen e autorit nga gjuhët e ndryshme, në kryeqytetet arabe dolën përkthime të ndryshe, me tituj të ndryshëm të të njëjtit roman, sa që mendohej se kemi të bëjmë me ca romane të ndryshme të autorit! Rasti më drastik për këtë është romani “Kështjella” dhe përkthimet e ndryshme që i janë bërë në arabisht. Përkthimi i parë i këtij romani u bë në Da—mask në sajë të Abdulatif Arnauti dhe u botua atje më 1986 me emrin e autorit “Ismail Kadarah”, por po ky përkthim u botua në Kajro, më 1993, me emrin e autorit “Ismail Kadri”, pra sikur të ishte një autor tjetër. Megjithatë, po ky roman u përkthye tjetër herë nga frëngjishtja dhe doli në Bejrut më 1990, me titull “Duajt e shiut”, pra po me atë titull që e kishte në frëngjisht, por me emrin e drejtë të autorit: Ismail Kadare. Mirëpo, ndonëse ky roman nuk u përkthye nga origjinali, ai kontribuoi mirë në prezantimin e Kadaresë në botën arabofonë, për dy arsye: përkthimi në nivel i përkthyesit profesionalist Muhamed Odajma dhe prestigji i botuesit(Dar al-Adab), i cili është prej botuesve më të njohur për letërsi në rajon.
Megjithatë, ky roman përjetoi një përkthim të ri nga anglishtja dhe doli në Bejrut në fund të 2009, me një titull të ri “Rrethimi”, sikur të jetë një roman tjetër i Kadaresë!
Kjo përshtypje u krijua për disa arsye. Përkthyesi irakian Muhamed Dervish, në parathënien e vet nuk di fare dhe nuk shënon se po ky roman u përkthye dhe u botua dy herë deri më tani, ndonëse thotë në parathënie se “Kadareja i është njohur lexuesit arab që disa decenje”. Kjo “anarki”, që mund të quhet edhe “aferë” në këto raste, bëhet më e theksuar kur merret parasysh se botuesi i ri është po ashtu i njohur (al-Dar al-arabija li-lulum) me kriter serioze dhe nuk është shumë larg atij botuesi (Dar al¬adab) që e kishte botuar më 1990. Ky rast bëhet më drastik, kur vështrohet përkthimi i ri romanit nga një kritik (Ahmed Zejnuddin) në gazetën gjithë arabe “al-Hayat”(21/2/2010) me një shënim që tregon se ky roman i Kadaresë u botua më 1970, me titull “Kështjella”, duke e përmendur në origjinalin shqip pa përkthim në arabishte, pa ditur se po ky roman u përkthye dhe u botua dy herë me dy tituj të ndryshëm! Në saj të kësaj është mendimi se erdhi koha që t’i jepet fund kësaj “anarkie” me përkthimet e veprave të Kadaresë në arabishte dhe është tani momenti që të prezantohet më mirë Kadareja në botën arabofone, pra me një botim të ri të veprave të tij, që përputhen më mirë me origjinalin dhe prezantojnë Kadarenë në mënyrë të gjithanshme.

1 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›