E Diel, 1 Nëntor 2026

Në mes të shkurtit, ndarja e kuotave

SHKRUAN: Jonida Tashi 31-01-2011 11:52

Hyrjet e autorizuara nga dekreti i flukseve 2010 do të shpërndahen mes provincave italiane në mes të shkurtit, pasi të kenë përfunduar tri ditët e prenotimeve (click day). Ministria e Punës do të mbajë parasysh kërkesat për punësim të paraqitura në çdo provincë, por edhe nevojën për krahë pune të shprehur nga rrethet, provincat, shoqatat e punëdhënësve dhe sindikatat. Një metodë që do jetë interesante kur të ndiqet praktikisht, veçanërisht atje ku ka diferenca të mëdha mes dy parametrave. Kjo procedurë është shpjeguar në një dokument të Ministrisë së Punës, e cila përcakton një kalendar të saktë. Fillimisht, brenda javës së parë të shkurtit, do t’i mbërrijnë Ministrisë të dhënat mbi kërkesat e paraqitura në çdo provincë, të ndara sipas kategorive të parashikuara nga dekreti i flukseve: punonjës të varur me shtetësi të privilegjuar dhe punonjës shtëpiakë me shtetësi të tjera. Brenda datës 11 shkurt duhet t’i komunikohen Ministrisë së Punës rezultatet e konsultimeve me institucionet dhe palët sociale në nivel rajonal dhe provincial. Duke kryqëzuar të dhënat e kërkesave me ato të konsultimeve, brenda 15 shkurtit do të shpërndahen në provincat e ndryshme kuotat e punonjësve me shtetësi të privilegjuar dhe të atyre për asistencë familjare. Në të vërtetë, hyrjet e para për asistencë familjare mund të caktohen dhe më parë, sepse më 3 shkurt, ministria do të shpërndajë një kuotë fillestare të përkohshme për çdo provincë. Një zgjedhje e diktuar nga urgjenca e atyre që kanë nevojë menjëherë për një kujdestare. Ndërkaq, bëhet e ditur se nuk do të bëhet asnjë shpërndarje territoriale, për sa i përket konvertimit të lejeqëndrimeve, as për hyrjet e tjera të parashikuara nga dekreti i flukseve: punonjës të përgatitur profesionalisht në vendet e tyre dhe punonjës amerikano-jugorë me origjinë italiane. Në të gjitha këto raste do të ketë një radhitje kombëtare që do të bëjë të mundur dhënien e kuotave deri në mbarimin e vendeve.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›