E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jetimët protestojnë më 20 maj

Rreth 800 jetimë të ardhur nga e gjithë Shqipëria kanë protestuar dje në qendër të kryeqytetit për më shumë të drejta dhe për një kujdes më të madh shtetëror për këtë kategori.

Me pankarta në duar, ata kanë kërkuar nga qeveria që t‘u garantojë arsimimin, punësimin, si dhe kushte jetese të denja, për vetë faktin se ndryshe nga të tjerët nuk kanë një familje dhe kjo i bën më vulnerabël.

Ky aktivitet u organizua nga Shoqata Kombëtare e Jetimëve të Shqipërisë. Kreu i kësaj shoqate, Kadri Aliaj, në fjalën e tij nuk ka munguar të theksojë atë që e cilësoi indiferencë të qeverisë ndaj jetimëve, të cilët mbijetojnë me vështirësi dhe në kushte tejet të rënda ekonomike e sociale.

Më 20 maj, ditën kombëtare të jetimëve shqiptarë, drejtuesit e kësaj shoqate, së bashku me qindra bonjakë të mbledhur nga i gjithë vendi kanë preferuar që të mos e kalojnë si një ditë feste, por si një protestë. Kjo për të sensibilizuar autoritetet shtetërore për një vëmendje dhe kujdes më të madh ndaj kësaj kategorie, por gjithashtu edhe për më shumë përkushtim nga shoqëria për të gjithë ata që fati i ka lënë të vetmuar.

Nga ana tjetër, me rastin e kësaj dite të veçantë, ministri i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Viktor Gumi, zhvilloi një vizitë dhe u takua me fëmijët dhe stafin e shtëpisë së fëmijës "Zyber Hallulli" në Tiranë. "Ju meritoni gjithçka, sepse jeni heronjtë e kësaj dite dhe jo vetëm, por edhe të ditëve të tjera që do të vijnë. Sidomos në këto kushte, ku shumë të tjerë kanë probleme, edhe pse me familje normale dhe biologjike, ju keni mundur t‘i tejkaloni këto probleme dhe të dilni vërtet heronjtë e kësaj dite", u shpreh ministri Gumi. Ai ka premtuar më tej që: kjo do të jetë dita jo vetëm për të parë të kaluarën dhe për të bërë bilancet negative, por në katër vitet që do të vijnë 20 maji do të jetë dita në të cilën ne do të bëjmë vetëm bilancet pozitive të jetës suaj. Sipas tij, ndryshimi i madh do të vijë në katër vitet e ardhshme, ku jetimët do të jenë epiqendra e punës së Ministrisë së Punës. "Përpara jush do të jetë numri i telefonit të ministrit të Punës, ka thënë Gumi, me qëllim që ta merrni atë në çdo kohë dhe në çdo moment për të bërë me dije shqetësimet, por edhe kërkesat tuaja". Duke u ndalur në punën e edukatorëve që shërbejnë në qendrat sociale, ministri Gumi theksoi se në qendër të vëmendjes së institucionit që drejton do të jetë vlerësimi i edukatorëve që kujdesen për fëmijët. "Ata duhet të gëzojnë dy karakteristika kryesore", shtoi ai, "të jenë nëpunës shtetërorë të denjë dhe të jenë human e familjarë të mirë, me qëllim që të zëvendësojnë te ju atë dashuri që e keni më të shtrenjtë dhe që e keni humbur". "Në mosplotësim të këtyre kushteve, është detyrim i shtetit për t‘i zëvendësuar ata dhe për të gjetur edukatorët më të mirë për ju".

Përfaqësuesit zyrtarë të Ministrisë së Punës deklarojnë se jetimëve aktualisht u ofrohet mbrojtje dhe përkrahje bazuar në ligjin "Për statusin e jetimit", që u jepet të gjithë personave me moshë deri 25 vjeç, jetimë biologjikë. Këtë status e përfitojnë 845 persona në të gjithë vendin. "Jetimët trajtohen me prioritet në punësim, u ofrohet formim profesional falas, u mundësohet e drejtë studimi sipas aftësive, mbështeten me bursë të plotë dhe trajtime veshmbathjeje nga shteti për të gjitha vitet e shkollimit, trajtohen me ndihmë ekonomike pasi kanë mbaruar shkollën dhe nuk kanë filluar punë, si dhe shërbim mjekësor e transport falas", konfirmojnë përfaqësuesit e ministrisë.

Një nga përfitimet në bazë të statusit të jetimit është vendosja e tyre me prioritet në institucionet e përkujdesit shoqëror. Në institucionet rezidenciale publike trajtohen 270 fëmijë. Institucionet publike financohen nga buxheti i shtetit dhe gjatë katër viteve të fundit, ky buxhet zë 42% të fondit total të dhënë për institucionet rezidenciale. Kuota ushqimore në qendra publike, në krahasim me vitin 2004, është rritur me 25%. Për mirërritjen dhe përshtatjen e fëmijëve që dalin nga institucionet, është rritur kuota për shpenzime personale në masën 30%. Të gjitha janë rrjedhojë e miratimit dhe implementimit të standardeve të reja të shërbimeve sociale që në vitin 2006.

Shërbimi social në vend ofrohet në dy forma: shërbim publik dhe jopublik. Shërbimi publik për fëmijë ofrohet në 17 qendra, në nëntë prej të cilave për fëmijët jetimë biologjikë dhe socialë. Tanimë, të gjitha shtëpitë e fëmijëve shkollorë janë pajisur me klasa informatike dhe, nëpërmjet fondeve të dhëna nga buxheti i shtetit dhe projekti i Bankës Botërore, është investuar për rikonstruksionin dhe pajisjen e tyre me bazë materiale të nevojshme, duke përmirësuar kështu ndjeshëm kushtet që u ofrohen fëmijëve në to.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›